image Ky është i dyshuari që vodhi xhaketën e Prokurorit të Shtetit, kërkohet paraburgim ndaj tij

Siguri

Ky është i dyshuari që vodhi xhaketën e Prokurorit të Shtetit, kërkohet paraburgim ndaj tij

news image

Gazeta Sinjali të mërkurën raportoi për një rast të vjedhjes që u denoncua në Policinë e Kosovës nga një prokuror bashkë me mikun e tij, të cilët u përballën me një 31-vjeçar, i cili njëri ia vodhi xhaketën, e tjetrit tentoi t’ia ‘avullojë’ veturën.

Rasti ndodhi në mëngjesin e 18 majit, në fshatin Shkabaj të Prishtinës dhe u denoncua po atë ditë nga Prokurori i Shtetit. I dyshuari u arrestua menjëherë nga Policia dhe u dërgua në mbajtje për 48 orë.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Muhamed Albahi, ndaj të cilit Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, lidhur me këtë rast, më 19.05.2022, ka ngritur aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në drejtim të veprës penale “Vjedhja”, nga neni 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

Para dy ditësh, Gazeta Sinjali raportoi se i dyshuari fillimisht ka vjedhur xhaketën e prokurorit nga vetura e tij, e më pas ka tentuar ta vjedh edhe veturën e shokut të prokurorit, por që nuk ia doli. Në deklaratën e Prokurorit dhe mikut të tij, të dhënë gjatë raportimit të rastit thuhet se hajni s’ka arritur ta marrë veturën e të ikë, pasi nuk ka mundur ta ndez.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/