image Prokurorja e pranon që nuk ka parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit për dhunuesin e 15-vjeçares

Drejtësi

Prokurorja e pranon që nuk ka parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit për dhunuesin e 15-vjeçares

news image

Në vitin 2012, një person kishte dhunuar një të mitur në Gjakovë, mirëpo vetëm deri para 3 muajve Gjykata Themelore në Pejë nuk kishte marrë një vendim, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo gjykatë vlerësoi se të akuzuarit duhet t’i jepen vetëm 8 muaj burgim për veprën e cila sipas Ligjit dënohet nga 5 deri në 20 vjet burgim.

Ndërsa për këtë vendim, as Prokuroria Themelore në Pejë nuk kishte propozuar nga Gjykata të merret parasysh ndonjë rrethanë rënduese.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me prokuroren e këtij rasti, Lirije Morina, e cila ka pranuar që Prokuroria nuk ka apeluar vendimin e Gjykatës së Pejës.

Ajo ka thënë që është një shënim zyrtar se pse nuk është bërë ankesë.

Këto procedura janë konfidenciale, rastet kur përfshihen viktima të mitura. Shkresa e lëndës lidhur me ankesën është konfidenciale, lidhur qe s’ka bë ankesë, shënimi zyrtar është në shkresa të lëndës”, ka thënë Morina për Gazetën Sinjali.

Për këtë rast ka reaguar edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. Ai ka kërkuar nga kryeprokurori i Gjykatës Themelore në Pejë që ta rishqyrtojë lëndën në rastin e 15-vjeçares.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale PP.nr. 68/12 të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë  të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë që është e shqetësuar për rastin.

Sapo përfundova fjalën në konferencën që i dedikohej viktimave të krimit, u njoftova me lajmin që dhunuesi seksual ndaj vajzës 15 vjeçare qenka dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, pa asnjë rrethanë rënduese dhe fatkeqësisht shumë rrethana lehtësuese. Jam shumë e shqetësuar në raport me këto vendime absurde të padrejta dhe që motivojnë dhunuesit dhe që dhunojnë për së dyti herë viktimat“, ka thënë ajo./GazetaSinjali/