image Kuvendi mblidhet të enjten, këto janë pikat e rendit të ditës

Politikë

Kuvendi mblidhet të enjten, këto janë pikat e rendit të ditës

news image

Të enjten, më 9 korrik, Kuvendi i Kosovës do t’i vazhdojë punimet e dy seancave të papërfunduara, më 11 dhe 23 qershor 2020, si dhe më pas të mblidhet në seancë të re.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme elektronike të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nën drejtimin e kryeparlamentares Vjosa Osmani, me prezencë edhe të kryetarëve të grupeve parlamentare.

Kryesia përcaktoi agjendën e punës së Kuvendit për këtë javë dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Në orën 10:00, pritet votimi i pesë projektligjeve: Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Në orën 10:30, ndërkaq, do të hidhet në votim Propozim-rezoluta nga raportimi i kryeministrit Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Prej orës 11:00, Kuvendi do të hyjë në seancë të re, e cila do të fillojë me pikat e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Seanca do të vazhdojë me zgjedhjen e një kandidati për anëtar jo ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe shqyrtimin e Raportit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit-(ARRI) për vitin 2019.

Kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e Pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës, për miratimin e buxhetit, do të jetë pikë e radhës, për t’u pasuar me formimin e dy komisioneve ad-hoc: Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për shtatë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe atij për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të Ankesave të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani shprehu shqetësimin për faktin se Qeveria ende nuk e ka dërguar opinionin për nismën e Kuvendit për Ligjin për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, gjë që do të mundësonte trajtimin e ligjit në seancë.

Ajo theksoi se situata emergjente kërkon veprime të shpejta e jo bllokim për gati një muaj të këtij ligji, ndaj paralajmëroi që nëse Qeveria nuk e sjellë opinion deri të enjten, ajo në seancë do të propozoje shmangie nga rregullorja në mënyrë që të procedohet ky ligj urgjentisht.

Po në këtë seancë pritet shqyrtimi i propozimit të deputetit Bedri Hamza, mbështetur edhe nga 20 deputetë tjerë nënshkrues, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, si dhe i rekomandimit të Komisionit Funksional për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Seanca mund të plotësohet më pika të tjera të rendit të ditës, nëse ato i plotësojnë kushtet formale-juridike, deri në ditën e seancës./Gazeta Sinjali/