image Kuvendi i Kosovës mban seancë të enjten, ky është rendi i ditës

Politikë

Kuvendi i Kosovës mban seancë të enjten, ky është rendi i ditës

news image

Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë të rregullt plenare të enjten më 20 maj, në orën 10:00, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të Kuvendit, kështu ka vendosur sot Kryesia në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare.

“Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të  ketë interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në lidhje me shtesat e pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë.

Pas interpelancës, Kryesia vendosi pikë të rendit të ditës edhe propozimin e Avokatit të Popullit bashkë me rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në lidhje me zgjedhjen e 5 zëvendës-avokatëve të Popullit.

Kryesia po ashtu futi si pikë të rendit të ditës në seancë votimin lidhur me përbërjen e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Kuvendit.

Po ashtu, bëhet e ditur se Kryesia ka vendosur që debati parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit  në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, që nuk ishte diskutuar në seancën e fundit, është zhvendosur për një datë tjetër.

“Në mbledhjen e sotme, Kryesia po ashtu procedoi për në Qeveri Projektligjin për ndryshimin e Ligjit nr.05/L-132 për Automjete. Po ashtu miratoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2020 dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tremujorin e parë të vitit 2021, konform rekomandimeve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Gazeta Sinjali/