Familja e dy djemve gjilanas të cilët humbën jetën pas tërmetit në Shqipëri i ka hapur të pamet tek shtëpia e tyre në Livoq të Gjilanit. Në këtë familje kanë mbetur 6 fëmijë pa kryefamiljar, ndërkohë që familja po kërkon ndihmë për një të ardhme të tyre më të sigurt.
Ky është hoteli ku po qëndronin dy vëllezërit Abazi nga Gjilani të cilët edhe humbën jetën si pasojë e tërmeteve në Shqipëri. Familja në Livoq të Gjilanit pasi iu është konfirmuar vdekja e tyre, ka hapur edhe të pamet.
Xhaxhai i dy vëllezërve Shemsedin dhe Isah Abazi thotë se kushtet e vështira dhe fëmijët e vegjël i kanë detyruar të shkojnë në Shqipëri. Teksa nuk mund t’i përmbajë lotët thotë se e ka ditur që nuk do të mund t’i nxjerrin të gjallë.
“Punonin prej dhjetë vitesh në Durrës. Nuk kishin gjetur punë në Kosovë dhe u dashtë të merreshin me diçka. E kemi ditur se ku janë. Kemi parë se hoteli ku kanë pushuar atë natë ka qenë totalisht i shkatërruar. Nuk kemi pritur se ata mund t’i mbijetonin asaj tragjedie”, rrëfen mes lotësh xhaxhai i dy djemve nga Gjilani, Ramadan Abazi për Dukagjinin.
Shemsedin Abazi 32 vjeç ka lënë pas tij katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë, ndërsa Isah Abazi 29 vjeç ka lënë dy djem. Tash, familja Abazi po kërkon ndihmë për këta fëmijë.
“U jemi mirënjohës atyre që kanë mundësi të bëjnë diçka për këta jetimë, që të kenë një jetë më të lehtë pas kësaj tragjedie”, deklaroi më tej Ramadan Abazi.
Para disa vitesh familja Abazi kishte humbur edhe një tjetër djalë, ndërkaq pas humbjes së këtyre të fundit tashmë ka mbetur vetëm edhe një djalë i kësaj familje.
Poashtu Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro për këto dy familje. Varrimi i të ndjerëve bëhet të enjten në ora 12./Gazeta Sinjali/