image Kurti: Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet

Politikë

Kurti: Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi për çështjen e targave, sot në Bruksel, shkruan Gazeta Sinjali.

Kurti tha se me këtë marrëveshje është arritur reciprociteti i targave dhe se tani edhe targave të Serbisë do t’iu mbulohet simboli shtetëror kur futen në territorin e Republikës së Kosovës.

“Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë”, shkroi ndër të tjera ai.

I pari i ekzekutivit ka thënë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk ka pse qëndron më në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, pasi që tani do të largohen targat e përkohshme.

“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt.”

“Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/