image Kurti takon kryediplomatin grek, i kërkon ndihmë për liberalizim të vizave

Politikë

Kurti takon kryediplomatin grek, i kërkon ndihmë për liberalizim të vizave

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, me të cilin ka biseduar për mundësinë e thellimit të raporteve mes dy vendeve, në kohën kur Greqia nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Gjatë takimit, është theksuar nevoja edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ku Kurti ka kërkuar ndihmën e Greqisë.

“Raportet e shkëlqyeshme ekzistuese ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, si dhe mundësitë e thellimit të tyre u theksuan në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. Duke biseduar për perspektivën evropiane të vendit tonë, u potencua nevoja për liberalizim të vizave, si proces tashmë i vonuar. Kryeministri Kurti kërkoi përkrahje nga Greqia për vendin tonë në integrimin e mëtutjeshëm në organizata rajonale”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Në këtë takim është diskutuar rreth zhvillimeve rajonale, si dhe ndikimit politik dhe ekonomik të luftës në Ukrainë.

“U dakorduan për domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve të përbashkëta sanksionuese ndaj Rusisë, si dhe përfshirjen e të gjithëve pa përjashtim në ndihmë Ukrainës, për të përballuar agresionin rus. U theksua nevoja për rritjen e angazhimit për zvogëlimin e ndikimit nga aktorë të tretë në rajonin tonë, si dhe perspektivën zhvillimore dhe integruese të Ballkanit Perëndimor”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe, Dendias e ka vizituar disa herë Kosovën.

/GazetaSinjali/