image Kurti takohet me politikanët e Luginës: Nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin

Politikë

Kurti takohet me politikanët e Luginës: Nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin

news image

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u pritën sot në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Siç njofton zyra e kryeministrit, në këtë takim morën pjesë, Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi dhe përfaqësuesë të tjerë.

Gjatë këtij takimi u diskutua për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare.

“Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna”, u tha në fillim të takimit.

Kryeministri Kurti po ashtu u shpreh se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha.

“Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhje as nuk ishin të lira e as demokratike”, tha Kurti.

“Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore”, veçoi kryeministri.

Ai më tej tha se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. 

I pari i Qeverisë po ashtu tha se pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani.

Kurti në fund theksoi se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës.

/GazetaSinjali/