image Kurti për Marrëveshjen e Ohrit: Është njohje de facto, Asociacioni nuk është në preambulë

Politikë

Kurti për Marrëveshjen e Ohrit: Është njohje de facto, Asociacioni nuk është në preambulë

news image

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka komentuar pikat e Marrëveshjes së Ohrit, ku si pikë urgjente e ka cilësuar çështjen e personave të pagjetur.

Kurti ka folur edhe për takimin e radhës që do të mbahet në prill.

“Në takim e radhës që do ta kemi në prill, do ta diskutojmë komplet marrëveshjen, nuk do të ketë zmbrapseje në prapavijë të neneve dhe theksim vetëm të njërit nen. Nëse përmendet çështja e urgjencës, së pari përmendet që palët pajtohen për personat e pagjetur si një çështje urgjente,”- ka thënë Kurti.

I pyetur për Asociacionin ai ka thënë se, nuk është në preambulë të marrëveshjes, ndërsa ka shtuar se ka njohje de fakto.

“Është njohje de facto, kjo është arsyeja pse nuk po e nënshkruan Serbia,”-ka thënë Kurti.

Kurti sot tha se Marrëveshja e arritur me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të zbatohet saktë dhe shpejt.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa e ka komentuar takimin e planifikuar për 4 prill në Bruksel, në mes të dy kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi.

Kryenegociatori i Kosovës për këto takime është zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Më 4 prill, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të Marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Pra, ka marrëveshje, ekziston marrëveshja. Ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt në Bruksel, dhe më pas për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër.

Kryeministri Kurti u ka thënë gazetarëve në Prishtinë se Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra.

“Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet. Ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të Marrëveshjes, dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë as zbatim të njëanshëm të Marrëveshjes. Prandaj, Marrëveshjen nuk duhet ta coptojmë”, ka thënë ai.

Edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar se në takimin e 4 prillit palët do të diskutojnë për hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

/GazetaSinjali/