image Kurti pas takimit virtual me Merkel: Pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës nuk mund të jenë temë e dialogut

Politikë

Kurti pas takimit virtual me Merkel: Pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës nuk mund të jenë temë e dialogut

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot një takim virtual me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi, Kurti tha se u pajtuan se dialogu me Serbinë duhet të jetë i drejtë, i ndërtuar mbi mirëbesim dhe që për rezultat duhet ta ketë njohjen reciproke, dhe se pavarësia e Kosovës dhe integriteti territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve.

“Biseduam edhe për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Në pritje të Samitit të Berlinit, që pritet të mbahet në fillim të korrikut, theksova se rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por jo për projekte si zëvendësim i BE-së. Bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë paralelel me demokratizimin e rajonit”, shkroi ndër të tjera ai.

Po ashtu, ai tha se ka marrë konfirmimin e kancelares Merkel për mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Gjatë bisedës e sigurova kancelaren Merkel për përkushtimin tonë në realizimin e planeve për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, të cilat krijojnë vende të reja të punës nëpërmjet përfshirjes së afaristëve gjermanë dhe mërgatës së madhe shqiptare që jeton në Gjermani. Në diskutimet për mërgatën e Kosovës në Gjermani, kancelarja theksoi se është duke shikuar me vëmendjen e duhur çështjen e njohjes së patentë-shoferëve të Kosovës”, tha ndër të tjera Kurti./Gazeta Sinjali/