image Kurti i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Kur Beogradi flet për vrasje e dhunë flasin për vete

Politikë

Kurti i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Kur Beogradi flet për vrasje e dhunë flasin për vete

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Kosova po përgatitet për një sulm ndaj serbëve në veri të vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Kurti tha se kur Beogradi zyrtar përmend vrasjet e dhunën, flasin për veten dhe imagjinatën e tyre, e jo për Kosovën.

“Së pari edhe në bazë të fitores së shkurtit të vitit të kaluar unë jam kryeministër i shpresës dhe i progresit, ndërsa në Serbi keni një president të frikës dhe kërcënimit. Kur flasin për dhunë në Serbi flasin për vete nuk flasin për Republikën tonë, për ne flasin institucionet”, tha Kurti para gazetarëve pas vizitës në Doganën e Kosovës.

I pari i ekzekutivit e bëri të qartë se Kosova është për paqe dhe stabilitet afatgjatë dhe progresin që po arrin vendi, duhet ta mbrojmë.

 “Dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore mirëpo me 31 korrik u ngritën ato barrikada prej njerëzve që kishin nxitur dhe organizuar e financuar strukturat paralele që u bënë banda kriminale pra kur ata flasin, flasin për vete ne jemi për paqe dhe stabilitet afatgjatë. Jemi te doganat e Kosovës në vitin 2021 janë rritur mbi 30% të hyrat në dallim me vitin 2020. Këtu konstatojmë progresin e Kosovës.  Ne duhet ta mbrojmë këtë progres dhe ka autokratë që janë të shqetësuar me progresin e Kosovës, mos harroni se deklaratat e Beogradit kur folin për Kosovën janë duke folur për vete”, u shpreh Kurti.

Ndryshe, Vuçiq ka vazhduar të enjten me propagandë që Kosova kinse “është duke përgatitur për sulm në Veri për vrasjen e serbëve”.

“I paralajmëroj të mos e bëjnë këtë”, ka thënë Vuçiq.

/GazetaSinjali/