image Kurti: Çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni

Diasporë

Kurti: Çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në aktivitetin “Karvani i Diasporës”, që sot u ndal në Komunën e Podujevës.

Ky aktivitet ka nisur ditë më parë me rastin e ardhjes së bashkatdhetarëve në vendlindjet e tyre dhe organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe me mbështetje edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, thuhet në një komunikatë për media.

Në fjalën e tij, para bashkatdhetarëve të shumtë, kryeministri Kurti i falënderoi ata që, siç tha ai, na bënë bashkë këtu pranë përmendoreve të heronjve dhe të dëshmorëve, të atyre që dhanë gjithçka në mënyrë që ne të jetojmë të lirë në atdheun tonë, në vendlindjen tonë, thuhet tutje.

Po ashtu, ai i falënderoi posaçërisht mërgimtarët që asnjëherë nuk po e harrojnë Kosovën, nuk po e harrojnë Podujevën, dhe po vinë këtu të çmallen me familjen e tyre, me farefisin e gjerë, por edhe me miq e dashamirë që i kanë në vendlindje.

“Republika e Kosovës i ka 1.85 milionë banorë, po i ka rreth 2.5 milionë qytetarë. Pra mund të thuhet që gati çdo i treti që është qytetar nuk është edhe banor. Ne e kemi diasporën, mërgatën shumë të madhe dhe ajo ka pasur një rol të madh historik në politikë, në ekonomi dhe në kulturë”, tha kryeministri.

Më tej, ai tha se duke iu falënderuar mërgatës sonë, ne e kemi financuar luftën çlirimtare dhe e kemi sot lirinë, por gjithashtu duke iu falënderuar mërgatës sonë ne e kemi edhe paqen sociale për shkak të dërgesave, remitancave që i dërgon ajo. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës në 5 vjetët e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë euro i kanë sjellë bashkatdhetarët tanë si dërgesa në vendlindje. Ndërkaq, investimet janë më shumë se 1 miliard e gjysmë gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit.

Kurti, tha se me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, kemi nis fushatën që e mbështet edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që quhet “Karvani i Diasporës”, kemi nis dialogun me diasporën dhe gjithashtu fushatën “Shijojeni Kosovën”.

/GazetaSinjali/