image Kurteshi: Refuzimi i votave të diasporës është i kundërligjshëm dhe i frikshëm

Kurteshi: Refuzimi i votave të diasporës është i kundërligjshëm dhe i frikshëm

news image

Komisioni Qendror Zgjedhor është duke mbajtur sot mbledhjen e radhës ku është duke u diskutuar edhe për votat nga diaspora, shkruan Gazeta Sinjali.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, ka reaguar duke thënë se diskutimet që po bëhen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për vlefshmërinë apo jo të disa votave është shqetësuese.

“Nga vëzhgimi që e kam bërë për çdo ditë, kam një shqetësim që dua ta shpreh e që ka të bëjë me qasjen ndaj votës. Kam parë raste kur ka pasur diskutime dhe konflikte rreth votave të pavlefshme dhe të vlefshme në QNR. Diskutimet janë bërë aty në tavolina, në vend që ato të zgjidhen nga Komisioni Qendror i Votave që do të duhej ta formonte një komision dhe të merrte përgjegjësi ligjore se cilat janë vota të vlefshme dhe të pavlefshme”, ka thënë Kurteshi.

Ai është shprehur i shqetësuar për refuzimin e këtyre votave, në rastet kur komisionarët kanë dilema se a është e vlefshme ajo apo jo.

“Ajo çfarë më shqetëson është qasja arrogante e institucionit ndaj votës. Rruga ma e lehtë është ‘po e anulojmë’. Kjo ka ngjarë edhe me votat me kusht. Ne e kemi diskutuar që objektivisht është e pamundur që në kutitë e votimit të ketë vota pa zarf, sepse ato i kontrollojnë ekipe mobile për personat që votojnë me kusht”, ka thënë më tutje ai.

Sipas tij, refuzimi i votave të diasporës është i kundërligjshëm dhe i frikshëm.

“Dje në QNR kam parë dy raste kur është diskutuar për vlefshmërinë apo jo të një fletëvotimi, e që për mua ishin shumë të qarta. Nuk ka të bëjë me një votë për subjektin që i takoj unë, por për subjektet e tjera. Unë po e shoh se si është kjo qasje. Ne kemi aplikues nga mërgata, 104 mijë janë miratuar dhe tash del se 1/3 prej tyre refuzohet. Është i kundërligjshëm, i frikshëm dhe i tmerrshëm, refuzimi i votës që është shprehje e vullnetit politik”, ka thënë Kurteshi./Gazeta Sinjali/