image Kryeministri Kurti arsyetohet për rritjen e çmimeve, kërkon nga qytetarët qetësi e durim

Politikë

Kryeministri Kurti arsyetohet për rritjen e çmimeve, kërkon nga qytetarët qetësi e durim

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rritjen e çmimeve në vend, duke e arsyetuar se e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vjen si rezultat i disa faktorëve.

“Mirëpo, ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate e cila trumbeton çdo ditë për rritje çmimesh dhe tenton të fajësojë Qeverinë për këtë. Kjo, në njërën anë, synon t’ua shtrojë terrenin manipuluesve për të ngritur çmimet me pretekstin se tani jemi në një ambient ku secili çmim duhet të ngritet, pavarësisht se a ka ngritje të kostos apo jo, ndërsa, në anën tjetër, tenton të nxisë nervozë e panik te qytetarët.

Paniku dhe pritjet se do të ketë rritje çmimesh, ndikojnë në blerje të shtyera nga frika, gjë që pastaj rezulton në mungesë të produkteve në rafte, e rrjedhimisht edhe në ngritje të mëtutjeshme të çmimeve”, ka shkruar Kurti.

Ai ka kërkuar nga qytetarët qetësi e durim, duke paralajmëruar që ditëve në vijim do ta bëjnë një pako masash që do t’u ndihmojnë qytetarëve.

“Një gjë të tillë kishin tentuar ta bëjnë edhe në fillim të pandemisë COVID-19 vitin e kaluar, me çmimin e miellit. Atëherë ne kishim bërë thirrje për qetësi, dhe kishim garantuar se askush nuk do të mbetej pta bukë. Ashtu edhe doli. Mirëpo, shumë qytetarë kishin përfunduar me sasi mielli nëpër shtëpitë e tyre, të blerë me çmim dy e trefish nga frika e mungesës së miellit dhe rritjes së çmimit. Fituesit e vetëm atëherë dolën të ishin tregtarët. Të njëjtën gjë, pra qetësi e durim, po u kërkoj edhe tani teksa po punojmë që ditëve në vijim të kemi një pako masash që u vijnë në ndihmë qytetarëve”, shkroi Kurti.

Ai iu kundërpërgjigj edhe atyre që ia rikujtuan disa deklarata të mëhershme ku ai tregonte se si me qeverisjen e tij do të uleshin çmimet e produkteve bazike.

“Kurse ata që po fajësojnë Qeverinë tani, kurrë nuk e kanë pasur brengë çmimin e bukës, e as hallet e qytetarëve. Përndryshe do të kishin reaguar me kohë kur zaptohej toka bujqësore. Për 10 vite, më se gjysmë miliardë euro të taksave i kanë shpenzuar për bujqësi, e produktiviteti bujqësor ka pësuar rënie, sepse subvencionet nuk u shkonin bujqve por xhepave të miqve të tyre”, shkroi Kurti. Sipas tij, ata janë “po të njëjtit që nuk thanë asnjë fjalë kur fabrika e vajit në Ferizaj ishte shitur për skrap. E tani ankohen për çmimin e vajit të importuar!.

Janë po të njëjtit që vitin e kaluar, në emër të rimëkëmbjes ekonomike kishin shpërblyer supermarketet e mëdha me qindra mijëra euro, përkundër faktit që ishin po ato biznese që kishin fitime rekord në kohë pandemie”, shkroi Kurti, duke u thënë qytetarëve “injoroni të tillët”“, ka shkruar Kurti.

/GazetaSinjali/