image Krasniqi e quan Kurtin inatçor: I ka bllokuar të gjitha projektet për qytetarët e flet për luftë

Politikë

Krasniqi e quan Kurtin inatçor: I ka bllokuar të gjitha projektet për qytetarët e flet për luftë

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po funksionon mbi imagjinata paranojake e me inate politike, duke bllokuar buxhetin për qytetarët dhe komunat e Kosovës për investime kapitale.

Krasniqi gjithashtu e kritikoi Kurtin pse ka përmendur luftën një intervistë që ka dhënë për një gazetë italiane.

“I humbur në rrëmujën e paaftësisë qeverisëse, pa plan e pa kompetencë, kryeministri Kurti në vend që të merret me përmirësimin e jetës së qytetarëve, për çka e kanë votuar, ai nga njëra anë po i bllokon të gjitha projektet e komunave, duke mos ua ndarë buxhetin e nevojshëm dhe nga ana tjetër po flet për luftë”.

Krasniqi tha se pas vizitave në disa komuna ka parë vështirësitë reale që ka niveli lokal në zbatimin e projekteve kapitale, për shkak “të neglizhencës” nga ana e Qeverisë Kurti.

“Ato projekte që kanë gjetur zbatim, janë bërë me mjetet vetanake të komunave ose nga donacionet që kryetarët kanë arritur t’i marrin nga organizatat ndërkombëtare. Tani, nëse Qeveria nuk e merr parasysh kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës për ta lëshuar Qarkoren e dytë Buxhetore sa më parë para datës 1 shtator, në afatin e paraparë kur komunat duhet ta dorëzojnë buxhetin për miratim në Kuvendet e Komunave – ajo me qëllim po e zvarrit realizimin e shumë projekteve në interes të qytetarëve anekënd Kosovës”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së po ashtu ka thënë se kryeministri Kurti dhe ministrat e tij duhet ta ndërrojnë këtë qasje.

“Zgjedhjet kanë përfunduar dhe kryetarët e komunave qeverisin njëjtë për të gjithë qytetarët e tyre, pa dallim. Jo si kjo Qeveri që u shërben vetëm klientelës, familjarëve e përkrahësve të tyre!”, tha Krasniqi.

/GazetaSinjali/