image Kosova rrezikon të mbetet pa para, rrezikohen kreditë ndërkombëtare

Kosovë

Ekonomi/ Kosova rrezikon të mbetet pa para, rrezikohen kreditë ndërkombëtare

news image

Qeveria në detyrë e Kosovës është duke negociuar madje edhe aprovuar marrëveshje me disa institucione financiare ndërkombëtare për marrjen e kredive, të cilat do të përdoren për të mbuluar humbjet nga pandemia COVID-19.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në mbledhjen e qeverisë të mërkurën ka thënë se janë duke punuar për të pasur të hyra shtesë në buxhet për ta përballuar krizën.

Deri më tani, sipas tij, kanë negociuar me institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare për kredi në vlerë mbi 300 milionë euro

Kjo vlerë sipas tij, do jetë e mjaftueshme për të mbuluar hendekun e taksave dhe koston e Pakos Emergjente fiskale prej 180 milionë eurosh, që tashmë ka filluar të zbatohet, por edhe pakos që është në përgatitje të rimëkëmbjes ekonomike.

Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës thotë se dispozitat e Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit qëndrojnë të heshtura në lidhje me kompetencat e qeverisë në dorëheqje për të propozuar projektligje.

“Deri më tani, nuk kemi praktika për procedimin e projektligjeve nga qeveria në dorëheqje”, ka thënë Krasniqi për REL

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës.

Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB), të martën ka miratuar një kredi për Kosovën, në vlerë prej 35 milionë eurosh. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në muajin prill ka miratuar po ashtu një kredi në vlerë të 52 milionë eurosh.

Nga Komisioni Evropian po ashtu është premtuar një kredi prej 100 milionë eurosh. Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar më 8 maj, nismën për të nënshkruar marrëveshje me Bankën Botërore për kredi në vlerë prej 48 milionë dollarësh.

Ai ka thënë se të gjitha kreditë që i merr Kosova do të jenë pjesë e një fondi të konsoliduar, i cili përdoret për të mbuluar masat e miratuara tashmë nga qeveria në detyrë, për të forcuar sistemin shëndetësor në luftën kundër koronavirusit.