image Kosova pret skanerët nga Gjermania - Masat ndaj mallrave serbe mbeten në fuqi deri në 2026

Siguri

Kosova pret skanerët nga Gjermania – Masat ndaj mallrave serbe mbeten në fuqi deri në 2026

news image

Donacioni i skanerëve me rreze X nga Gjermania për Kosovën, i destinuar për vendosje në pikat kufitare me Serbinë, do të vonohet deri të paktën në vitin 2026, shkruan Gazeta Sinjali.

Këtë e ka konfirmuar Ambasada Gjermane në Prishtinë për Televizionin Dukagjini, duke theksuar se procesi i prokurimit dhe montimit të pajisjeve është ende në zhvillim.

Skanerët, që janë pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara për mbështetje të Kosovës, janë kusht i vendosur nga qeveria kosovare për lehtësimin e masave kufizuese ndaj mallrave serbe që nga tetori i vitit 2024. Aktualisht, hyrja e mallrave serbe lejohet vetëm përmes pikës kufitare në Merdarë.

Sipas ambasadës, për shkak të natyrës teknike të pajisjeve – të cilat nuk janë produkte të gatshme, por kërkojnë montim pjesë-pjesë dhe vlerësim të hollësishëm teknik – procesi kërkon kohë dhe kujdes të shtuar. Dorëzimi i skanerëve pritet të realizohet vetëm në vitin 2026, duke marrë parasysh edhe vonesat globale për shkak të krizave ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me vonesën, ndërsa ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se informacionin duhet ta japë Dogana, e cila është përgjegjëse për zbatimin e këtij projekti. Por edhe nga Dogana nuk ka pasur ndonjë deklaratë zyrtare deri më tani.

Ekspertët e sigurisë e shohin pajisjen me skanerë si domosdoshmëri për kontrollin efektiv të kufirit, duke thënë se ato do të ndihmojnë në zbulimin e armëve, drogës dhe mallrave të paligjshme, si dhe do të përshpejtojnë procedurat doganore.

Kujtojmë se masat kufizuese ndaj mallrave serbe u vendosën pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe brenda territorit të Kosovës, duke shkaktuar përshkallëzim të tensioneve mes dy vendeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/