image Kosova mëson sot grupin e kualifikimeve për Botëror

Sporte të tjera

Kosova mëson sot grupin e kualifikimeve për Botëror

news image

Rruga drejt kampionatit botëror të hendbollisteve “Spanja 2021” do të fillojë sot (e mërkurë) kur tërhiqet shorti për fazën e parë të kualifikimeve evropiane.

Në short është edhe Përfaqësuesja e Kosovës që synon kalimin në raundin tjetër. Në kombëtaren tonë është rritur dukshëm konkurrenca në vitet e fundit dhe është rritur cilësia. Synimi i Përfaqësueses sonë është vendi i parë ose i dytë, që dërgojnë më tutje.

Natyrisht shumë do të varet nga shorti, ndërsa në kualifikime paraqiten kombëtare me nivel serioz dhe nuk do të jetë e lehtë. Por kualifikimi në fazën tjetër duhet të jetë synimi ynë si pjesë e zhvillimit të mëtejmë. Shorti tërhiqet prej orës 15:00 në Vjenë. Dhjetë kombëtare, nga dy prej të gjitha pesë grupeve, kalojnë tutje. Do të formohen dy grupe me nga katër ekipe dhe tri grupe me nga tri ekipe. Ndarja nëpër vazo e kombëtareve është bërë në bazë të ranglistës së kombëtareve të hendbollisteve që ishte e vlefshme për “Euro 2020”.

Të rikujtojmë se kombëtarja jonë është përballur me sukses edhe me kombëtare nga vazoja e parë, ndonëse nuk ka qenë e kompletuar. Ndeshjet do të luhen në formë turneu në një vend. EHF-ja ka përcaktuar dy terminë për këto ndeshje: 27-29 nëntor apo 4-6 dhjetor. Dy të parët në grup kualifikohen për fazën e dytë, ku zhvillohen ndeshje plejofi. Faza e dytë është më 16 e 21 prill 2021.

Vazoja 1: Austria, Bjellorusia, Sllovakia, Turqia, Maqedonia e Veriut

Vazoja 2: Ukraina, Italia, Zvicra, Islanda, Portugalia

Vazoja 3: Lituania, Ishujt Faroe, Kosova, Izraeli, Finlanda

Vazoja 4: Greqia, Luksemburgu