image Kosova e Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshje për luftimin e krimit dhe terrorizmit

Kosovë

Siguri/ Kosova e Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshje për luftimin e krimit dhe terrorizmit

news image

Ministritë e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar protokollin mbi themelimin e Task-Forcës së Përbashkët me qëllim të eliminimit të kërcënimeve të sigurisë.

Protokolli i realizuar në kuadër të marrëveshjes mes të dy qeverive për bashkëpunim policor u nënshkrua nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës,  Rashit Qalaj dhe drejtori i Policisë së Maqedonisë së Veriut, Sasho Tasevki.

Me këtë rast, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa tha se ky akt është një vazhdimësi e bashkëpunimit shumë të mirë që Kosova dhe Maqedonia e kanë në fushën e sigurisë.

“Kosova dhe Maqedonia kontribuojnë në ngritjen e sigurisë, me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për rajonin. Të dy vendet po bëhen model i bashkëpunimit,  i cili duhet të zgjerohet tutje në rrafshin e bashkëpunimit rajonal edhe me shtetet tjera”, tha ai.

Ndryshe, task-forca e përbashkët ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në mes të dy vendeve për të eliminuar rreziqet e ndryshme për rendin dhe sigurinë publike, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve tej-kufitare. /Gazeta Sinjali/