image Kosova dhe Serbia përplasen në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Spanjë

Politikë

Kosova dhe Serbia përplasen në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Spanjë

news image

Sesioni i 68-të vjetor i Asamblesë Parlamentare të NATO-s i mbajtur në Madrid të Spanjës, ka kaluar në përplasje mes delegacionit të Kosovës e Serbisë.

Kjo pasi Asambleja Parlamentare e NATO-s, miratoi raportin per Ballkanin Perendimor, e ku paraprakisht, raportin e kundërshtoi udhëheqësi i delegacionit të Serbisë, që vjen nga partia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai pretendonte se raporti përmban të pavërteta për Kosovën, ngase sipas tij ky vend nuk është shtet, e për më tepër duke iu referuar me emrin jokushtetues të Kosovës si “Kosovë e Metohi”.

Në kundërshtimin e tij, ai deklaronte të pavërteta, duke thënë se Kosova e Serbia janë duke biseduar çështjen e statusit të Kosovës.

Gjithashtu ai pretendonte se bazat ushtarake ruse në Serbi, janë për qëllime humanitare, dhe se nuk ka tensione të nxitura nga Serbia, si edhe deklarime të ngjashme.

Më pas, me kërkesë të tij, Asambleja ia kaloi fjalën kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Driton Hyseni, i cili ndër të tjera argumentoi se pretendimet e delegacionit serb, respektivisht kryetarit të ketij delegacioni, janë tërësisht të pavërteta.

Ai deklaroi se Kosova është shtet sovran, që pavarësinë e ka shpallur në vitin 2008, dhe është shtet i njohur ndërkombëtarisht nga 117 shtete të botës.

Për më tepër, Hyseni theksoi se pavarësia e Kosovës është vërtetuar dhe legjitimuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Hyseni vazhdoi duke potencuar faktin që vetëm pak zyrtarë serb akoma Kosovës i drejtohen me emrin jokushtetues “Kosovë e Metohi”, por në fakt emri i vetëm i  Kosovës  është vetëm Kosovë.

Sa u takon bazave të Rusisë në Serbi, deputeti Hyseni sqaroi se nuk bëhet fjalë për baza me qëllime humanitare, por se ato janë baza ushtarake, të shumta në numër, e një pjesë e madhe e tyre, janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën.

Përvec kësaj, Hyseni në Asamblenë Parlamentare të NATO-s deklaroi se Serbia është duke u armatosur me armë ruse dhe kineze.

Gjithashtu, ai shtoi se i gjithë tensioni në veri të Kosovës është produkt i influencës dhe ndikimit që Beogradi ka tek minoriteti serb, që jeton në veri të Kosovës.

Pas fjalës së kryetarit të delegacionit nga Kosova, raporti u hodh në votim, dhe përveç dy abstenimeve, të gjitha votat tjera ishin “pro”,  që do të thotë se asnjë nga deklarimet e kryesuesit të delegacionit serb nuk u morën parasysh, raporton RTKlive.

Mbështetje të madhe në këto diskutime Kosovës i ka dhënë anëtarja e parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Harriett Baldwin, duke bërë thirrje për njohje të realitetit në Kosovë dhe duke ftuar shtetet anëtare të NATO-s për njohje të shtetësisë së Kosovës.

Gjithashtu gjatë sesionit të djeshëm, kryetarja e delegacionit të Shqiperisë, Mimi Kodheli, njëherit nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në diskutimin e saj të zhvilluar në Komisionin Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, iu drejtua ministrit për Punë të Jashtme, Evropë dhe Bashkëpunim, të Spanjës, Albares, me kërkesën e Shqipërisë për të adresuar çështjen e Kosovës nën një perspektivë të re, nisur nga marrëdhëniet e bashkëpunimit të hershëm që ka karakterizuar Spanjën me rajonin e Ballkanit.

Në përgjigje të ministrit Albaros, ai tha se Spanja mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk do të jetë pengesë për zhvillimin e rajonit.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga Driton Hyseni kryesues dhe Xhavit Haliti anëtar, janë duke zhvilluar takime me delegatët pjesëmarrës.

/GazetaSinjali/