image Koreja e Veriut gjuan me plumba postën kufitare në Jug

Siguri

Botë/ Koreja e Veriut gjuan me plumba postën kufitare në Jug

news image

Shkëmbimi i zjarrit mes dy Koreve rrezikon të prishë marrëveshjet për pajtim që palët po mundohen të arrijnë prej vitesh. Një seri të shtënash u lëshuan nga Veriu drejt Koresë Jugore. Zhvillimet vijnë pas rishfaqjes në publik të liderit koreanoverior, Kim Xhong-un.

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut po raportojnë tensione pak orë pasi lideri koreaonverior, Kim Xhong-Un, u rishfaq pas gati tri javëve mungesë publike.

Një seri plumbash u zbrazën mëngjesin e së dielës në postën kufitare koreanojugore, duke provokuar kundërpërgjigje me të shtëna paralajmëruese.

Shtabi ushtarak i Koresë së Jugut njoftoi se zjarri u hap fillimisht nga ushtarët e Veriut, pa ndonjë arsye specifike dhe fatmirësisht pa rezultuar në pasoja.

Sipas zyrtarëve, nuk janë vërejtur lëvizje të pazakonta të trupave në Veri, por po hetohet mundësia që të shtënat të kenë qenë të qëllimshme apo edhe aksidentale.

Sulmi i qëllimshëm nga secila palë do të kërcënonte prishjen e paktit të posaçëm dypalësh që Seuli dhe Pheniani arritën në 2018-ën.

Teknikisht, dy Koretë janë në armëpushim me njëra-tjetrën pas Luftës Koreane të fillimviteve 1950.

Vendet ndahen nëpërmjet një zone të quajtur joushtarake rreth 250 kilometra e gjatë, por që në realitet në gjerësinë 4 kilometra është e fortifikuar me miliona mina, mure me tela dhe gracka të fshehta.

Nismat fillestare për çmontimin e tyre kanë mbetur në vend si pasojë e ngërçit në negociatat mes Uashingtonit dhe Phenianit, që Koreja e Veriut të heqë dorë nga arsenali i vet bërthamor për t’u çliruar nga sanksionet e rënda ekonomike.

Të shtunën, Koreja e Veriut i dha fund spekulimeve për gjendjen shëndetësore të udhëheqësit të saj.

Kim Xhong-Un u shfaq në shoqërinë e zyrtarëve të lartë dhe të motrës së tij duke inauguruar hapjen e një fabrike për prodhimin e plehrave kimike.

Ai dyshohej se mund të ishte në rrezik për jetën pas një ndërhyrjeje në zemër apo se po qëndronte i izoluar nga publiku prej rrezikut të koronavirusit.