image Klinika që ta jep veremin! (Video+Foto)

Kosovë

Alarmante/ Klinika që ta jep veremin! (Video+Foto)

news image

Klinika Pulmologjike në QKUK, po përballet me probleme të shumta infrastrukturore, mungesë aparaturash e material harxhues.

Pacientët thonë se po detyrohen t`i blejnë edhe gjërat elementare që i duhen një të sëmuri nga mushkëritë.

Nexhip Gërvalla, i cili ishte duke u trajtuar për disa ditë në këtë klinikë thotë se i është dashur t`i blente paisjet që duhet t`i ketë vet klinika.

“Kam ble maska për oksigjen që janë esenciale për pacientin me probleme në mushkëri. S`ka pasë as aparat inhalimi as maskë inhalimi. Rreth 90 përqind të ilaqeve e injeksioneve për infuzion i kemi ble. Kjo është tmerr!”

Gërvalla shton se derisa flasin për investime të mëdha në shëndetësi Klinika e Pulmologjisë nuk i ka as kushtet elementare për trajtimin e pacientëve.

“WC-të janë shumë keq, pikojnë e rrjedhin. Nuk ka hapësirë as të ulet një pacientë”, thotë ai.

Në disa video që kanë arritur në redaksinë e gazetës “Sinjali”, shihet se tualetet e kësaj klinike përveçse të papastërta, janë edhe tepër të vogla ndërsa dera mbyllet me vështirësi. Përveç kësaj, mundësia e bartjes së infeksioneve është shumë e madhe ngase qeset e urinës derdhen në dyshemenë e tualeteve. E në pjesën për pastrimin e duarve, shumica nga çezmat janë të prishura.

Edhe pacientët e tjerë, në kushte anonimiteti, kanë deklaruar për Sinjalin se po përballen me mungesë ilaçesh, oksigjenit, inhalaotrësh, karrocash e gjësende tjera që janë të nevojshme për pacientët e shtrirë në këtë klinikë.

Sinjali ka dëgjuar rrëfimet e disa prej tyre të cilët thonë se reparti A i kësaj klinike ka vetëm një bombolë oksigjeni lëvizëse. E në raste kur pacientit i duhet të shkoj në klinika tjera për ndonjë ekzaminim shtesë, zgjidhjen e sigurimit të oksigjenit duhet ta bëjë vetë.

Drejtoresha e kësaj klinike Rukije Mehmeti, e pranon se përballen me një varg problemesh. Sipas saj zgjidhja ideale do të ishte ndërtimi i një objekti të ri.

“Ministria e Shëndetësisë e ka kontraktuar një organizatë e cila është duke i bërë vlerësimet në të gjitha klinikat. Në bazë të të gjeturave do të vendosen edhe prioritet se në cilën klinikë do të investohet së pari. Përkundër kushteve që ne i kemi, bëhët punë shumë e madhe. Ka mungesë stafi, infrastrukturë jo të mirë, por ne s`jemi fajtor. Klinika Pulmologjike është klinika më e vjetër në QKUK. Ne nuk kemi shkop magjik me i kry brenda natës të gjitha. Po punohet por, nevojat janë shumë të mëdha”, thotë drejtoresha e klinikës Rukije Mehmeti.

Ajo shton se janë duke punuar për të sjellë investime të reja në këtë klinikë dhe se pret që drejtoria e SHSKUK-së, të angazhohet në këtë drejtim. Në Klinkën Pulmologjike vërehet edhe mungesa e stafit të mesëm. Në një repart me rreth 60 shtretër kujdestarojnë vetëm dy infermiere. /Sinjali/