image Kica-Xhelili i përgjigjet akuzave të Gërvallës: Si duket s’e paska kuptuar pse kam dalë nga Guxo

Politikë

Kica-Xhelili i përgjigjet akuzave të Gërvallës: Si duket s’e paska kuptuar pse kam dalë nga Guxo

news image

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila së fundi iu bashkua Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, i është përgjigjur akuzave të ish bashkëpartiakes së saj, kryetares së Listës Guxo, Donika Gërvalla Schwarz, që ka ndërruar parti për shkak se ka ndërruar qëndrim mbi reformën në drejtësi, raporton Gazeta Sinjali.

Kica Xhelili ka mohuar këtë, duke thënë se do të vazhdojë të angazhohet për Vetingun e Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, duke thënë se reforma në drejtësi është edhe pjesë e platformës së LDK-së nga viti 2018.

 “Donika Gërvalla s’e paska kuptuar pse kam dalë nga aty. Të thuash që kam ndërruar qëndrim për reformën në drejtësi, nuk është e vërtetë. Nëse është dikush që do të punojë për vettingun, jam unë që do të jem përpara zonjës Gërvalla. Me gjasë nuk e ka informacionin që në vitin 2018, LDK e ka pasur platformën e saj vetingun dhe byronë”, ka thënë ajo.

Deputetja e opozitës ka thënë se Gërvalla nuk e njeh LDK-në sot dhe ajo thotë që kjo mund të ndodh edhe qëllimshëm, pasi që sipas saj, LDK ka elektorat që çdo ditë po zgjerohet.

“Dukshëm po injorohet se kush është LDK sot. Ndoshta qëllimshëm, sepse e kuptoj që nuk është e konvenueshme. Arsyeja pse unë jam në LDK, ka elektorat që çdo ditë po zgjerohet, sepse LDK buron nga një ideologji bazë tepër të rëndësishme për Kosovën. Kur flasim për Rugovizmin nënkuptohet shteti, stabiliteti, jo krizat. Rugovizmi është urtësi, bashkë me guximin, jo linçimi, propaganda e fyerjet. E aq më pak, qasja e ngutshme”, ka thënë Kica-Xhelili.

Tutje ajo shtoi se LDK sot bartë në vete rigjallërimin e frymës së LDK-së së ish-liderit të saj, Ibrahim Rugova

“LDK sot e ka pikërisht rigjallërimin e kësaj fryme, që beson në shtetndërtim dhe mirëqenie të qytetarëve. LDK është duke i sjell shoqërisë njerëzit më të përgatitur të këtij vendi. Ka grupe ekspertësh që në vazhdimësi punojnë për të të sjellë një platformë për këtë vend. Ata njerëz nuk dalin në media”, ka deklaruar ajo në Pressing.

/GazetaSinjali/