image Këto janë arsyet që po ndikojnë në rritjen e rasteve të rrahjeve e vrasjeve nëpër shkolla

Siguri

Këto janë arsyet që po ndikojnë në rritjen e rasteve të rrahjeve e vrasjeve nëpër shkolla

news image

Dhuna në shkolla, është dukuri e cila është në rritje në shkollat e Kosovës, e cila po konsiderohet si shumë shqetësuese për shoqërinë.

Drejtues të institucioneve, vlerësojnë se rritja e dhunës në shkolla  është si pasojë e moskoordinimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale. Ndërsa, psikologët dhe njohësit e arsimit, vlerësojnë se mungesa e psikologëve, pedagogëve dhe sociologëve në shkolla, po ndikon në rritjen e nivelit të dhunës në shkolla.

Rrahja mes nxënësve e madje edhe deri te vrasja mes tyre, është një dukuri shumë shqetësuese për gjithë shoqërinë në vend. Koordinatorja për të drejtat e njeriut në Ministrinë e Arsimit, Merita Jonuzi, në një përgjigje për televizionin publik, tha se kjo ministri ka hartuar politika për ndalimin e dhunës nëpër shkolla. Por shqetësuese sipas saj, është mosraportimi i dhunës nga drejtuesit e shkollave.

Dobësia ekziston në kuptimin e tendencës për t’i fshehur rastet, jo të gjitha shkollat i raportojnë rastet, ku kemi një numër shumë të vogël të raportimit të rasteve. Ende ekziston mentaliteti i drejtorëve të shkollave që pretendojnë t’i mbajnë rastet e mbyllura, ata i trajtojnë në mënyrën e vet por nuk e fusin evidencën në sistem për ta kuptuar ministria se sa të shpeshta janë këto raste”, tha ajo.

Se cilat janë shkaqet e rritjes së dhunës në shkolla, psikologia Ergita Zajmi tha se si pasojë e problemeve familjare, mosedukimi cilësor, moskomunikimi i duhur me prindër  dhe mungesa e psikologëve dhe pedagogëve në shkolla, po ndikojnë në krijimin e këtyre situatave shqetësuese.

“Dhuna paraqitet në shumë forma, por disa nga faktorët janë si problemet familjare, moskomunikimi meprindër, mosha në të cilët ndodhën adoleshentët. Por krejt këto ngërthehet në vete si pasojë e mungesës së psikologëve nëpër shkolla”, tha ajo.

Edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, tha se mos përkrahja institucionale për fëmijët nga  shkolla dhe mungesa e psikologëve dhe sociologëve, e thellon edhe më shumë këtë problem.

“Burimi i problemit të dhunës në shkolla është i ndryshëm. Mirëpo, mospërkrahja institucionale nga shkolla për fëmijët e thellon tutje ketë problem. Ajo çka është mungesë në shkolla është mungesa e psikologëve dhe sociologëve  të mjaftueshëm dhe të aftë profesionalisht  që do t’i identifikonin dhe trajtonin si duhet këto probleme”, tha ai.

Si pasojë e dhunës në shkolla, ditëve të fundit ka ardhur deri te vrasja e një nxënësi nga bashkëmoshatari i tij në Prizren./Gazeta Sinjali/