image Këta janë tre të arrestuarit nga e njëjta familje që dyshohet se vodhën në një shtëpi në Suharekë

Siguri

Këta janë tre të arrestuarit nga e njëjta familje që dyshohet se vodhën në një shtëpi në Suharekë

news image

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për arrestimin  e tre personave në Suharekë, të cilët dyshohen për një vjedhje të rëndë që ka ndodhur më 23 qershor në një shtëpi atje. Rasti ishte denoncuar menjëherë në Polici, por të dyshuarit u kapën pas analizimit të provave të mbledhur nga Policia.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se tre të arrestuarit lidhur me këtë rast janë Naim Bytyqi, Avdullah Bytyqi dhe Rilind Bytyqi, ndaj të cilëve Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Fillimisht Policia ka zbuluar dy të dyshuarit e parë, të cilët u identifikuan përmes kamerave të sigurisë dhe më pas u arrestuan e shoqëruan në stacion policor për intervistim. Në Polici, ata kanë pranuar se kanë kryer edhe disa raste të tjera të vjedhjeve, gjatë muajit prill.

Ndërkohë, pas mbledhjes së informacioneve të reja, Policia ka arrestuar edhe të dyshuarin e tretë lidhur me këtë rast, i cili po ashtu ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë dhe më pas është dërguar në mbajtje.

Kujtojmë se vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane, janë bërë një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/