image Këta janë përfaqësuesit e palëve në seancën që po mbahet në Kushtetuese

Drejtësi

Këta janë përfaqësuesit e palëve në seancën që po mbahet në Kushtetuese

news image

Ka filluar seanca dëgjimore publike në Gjykatën Kushtetuese rreth kushtetutshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi, i dënuar për veprën penale “mashtrim me subvencione”, i cili votoi për formimin e Qeverisë Hoti, më 3 qershor të këtij viti, shkruan Gazeta Sinjali.

Nga Komisioni Qendror e Zgjedhjeve (KQZ) Valdete Daka, Astrit Hoti do ta përfaqësojë Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje në këtë seancë përfaqësohet nga deputeti Artan Abrashi dhe anëtari i partisë Blerim Sallahu.

Qeveria përfaqësohet nga avokati Besnik Berisha ndërkaq, zyra e kryeparlamentares nga këshilltari ligjor i Vjosa Osmanit, Artan Murati.

Në këtë seancë do të marrë pjesë edhe anëtari i Komisionit për Legjislacion, Shkëmb Manaj.

Palëve të përfshira do t’u jepet mundësia që shkurtimisht t’i paraqesin argumentet e tyre përmes prezantimeve.

Ato duhet të jenë të kufizuara vetëm në fakte dhe në çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me kërkesën. Kryetari mund t’ia kufizojë secilës palë periudhën kohore të caktuar për këtë prezantim, derisa, gjatë seancës, gjyqtarët mund t’u parashtrojnë pyetje përfaqësuesve të palëve, ose drejtpërsëdrejti cilësdo palë.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Për këtë arsye LVV-ja ishte drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend.

/GazetaSinjali/