image Këta janë dy vëllezërit që u bënë 'copa' në Obiliq pas mosmarrëveshjes për hekurishte

Siguri

Këta janë dy vëllezërit që u bënë ‘copa’ në Obiliq pas mosmarrëveshjes për hekurishte

news image

Dy vëllezër nga Obiliqi kanë përfunduar dje në Polici pasi dyshohet se janë rrahur me mjete të forta me njëri-tjetrin për shkak të një mosmarrëveshje për hekurishte. Sinjali raportoi se të njëjtit u denoncuan nga babai i tyre dhe më pas u ndaluan për 48 orë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se dy vëllezërit e dyshuar që u rrahën keq me njëri-tjetrin janë Bajram Gashi, 29-vjeçar dhe Albert Gashi, 21-vjeçar.

Ata u prangosën dje në orët e mëngjesit, pasi babai i tyre raportoi në Polici se djemtë po rrahen me mjete hekuri e druri.

Me t’u raportuar rasti, Policia dhe njësia mjekësore e QKMF-së kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë marrë personat e përfshirë në rast, të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare. 

Pas trajtimit në QKUK, dy të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor të Obiliqit, ku kanë deklaruar se janë përleshur mes vete për hekurishtet e grumbulluara.

Lidhur me këtë rast, prokurori ka urdhëruar që vëllezërit e dyshuar të dërgohen në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë dhe të hetohen për veprën penale “dhunë në familje”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/