image Këshilli Prokurorial i reagon Sallahut pasi i quajti prokurorët kriminelë

Kosovë

Këshilli Prokurorial i reagon Sallahut pasi i quajti prokurorët kriminelë

news image

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar rreth një statusi në Facebook nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), është thellësisht i shqetësuar me deklaratat e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, të bëra përmes një statusi në “facebook”, ku i quan prokurorët kriminelë”, thuhet në komunikatën e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Tutje në komunikatë thuhet se, deklaratat e Zëvendësministrit të Drejtësisë janë linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit prokurorial. Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional.

Ndërkaq, Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore.

Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ i pavarur kushtetues nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë interferim nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik të cenojë integritetin e sistemit prokurorial. /Gazeta Sinjali/