image Kërkohet paraburgim për zyrtarin policor që dyshohet se dëmtoi provat në laboratorin e drogës në Veri

Drejtësi

Kërkohet paraburgim për zyrtarin policor që dyshohet se dëmtoi provat në laboratorin e drogës në Veri

news image

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit ndaj Andria Rakiq, zyrtar policor në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Policinë e Kosovës, i cili dyshohet se dëmtoi provat në laboratorin e drogës që u zbulua në Zveçan.

Rakiq dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“ nga neni 414 i KPRK, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare“ nga neni 386 i KPRK, si dhe  “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari A.R., si person zyrtar – polic i Njësisë për Reagim të Shpejtë, derisa ka qenë në detyrë të sigurimit të vendit të ngjarjes në objektin biznesor në fshatin Izvor – komuna e Zveçanit me pronar i dyshuari S.N., i ka dëmtuar kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në objektin ku është kryer kontrollimi dhe është gjetur laboratori për prodhimin e substancave narkotike si dhe janë gjetur 10 mijë bimë narkotike të llojit marihuanë.”

I dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Seanca për caktimin e paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata.

/GazetaSinjali/