image Kërkesa për heqje të akcizës në naftë, reagon Murati: Janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve - Sinjali

Kërkesa për heqje të akcizës në naftë, reagon Murati: Janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve

news image

Partitë opozitare e njohës të ekonomisë në vend po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që përkohësisht ta heqë akcizën në naftë, në mënyrë që të bie çmimi, i cili sot ka shkuar në 1.90 euro për litër.

Por kjo ide, nuk po i pëlqen ministrit të financave Hekuran Murati, raporton Gazeta Sinjali.

“Që nga marrja e mandatit, ne si Qeveri nuk kemi ngritur as edhe një taksë të vetme. As TVSH-në, e as akcizën e naftës. Me fjalë tjera, nuk ka as edhe një veprim të vetëm të qeverisë që do të kishte ndikuar në rritjen e çmimit të naftës. Rritja e çmimit të naftës vjen si rezultat i rritjes së çmimit të furnizimit nga importi, që është jashtë kontrollit tonë, por edhe për shkak të rritjes së marzhës së fitimit nga tregtarët e naftës, sidomos tani kur pritet ardhja e mërgatës”, ka shkruar Murati.

Megjithatë, ai thotë se ekzekutivi po punon në caktimin e tavanit dhe marzhës së fitimit për naftëtarët.

“Prandaj po punojmë për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi”, shton tutje ai.

Shefi i kuletës së shtetit, ka kritikuar opozitën për këtë kërkesë duke thënë se nuk i shërben interesit të qytetarëve.

“Ndërsa thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve. Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër. Ulja e TVSH-së apo akcizës në situata inflacionare, jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit tek konsumatori”, thekson tutje Murati.

“Nuk është hera e parë që në emër të dhembshurisë për qytetarët, partitë e gardës së vjetër me para të buxhetit tentojnë t’u bëjnë favore bizneseve të caktuara”, shkruan ai.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin