image Keqtrajtohet psiqikisht 36-vjeçarja nga babai i saj në Gjilan, e largoi nga shtëpia veç pse u kthye pas orës 22:00

Siguri

Keqtrajtohet psiqikisht 36-vjeçarja nga babai i saj në Gjilan, e largoi nga shtëpia veç pse u kthye pas orës 22:00

news image

Në “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave” janë raportuar dhjetëra raste të dhunës në familje, ku viktimat më të shpeshta kanë qenë gratë dhe vajzat. Në kuadër të kësaj fushate ka ndodhur një ndër rastet më të tmerrshme të viteve të fundit, vrasja e gruas shtatzënë nga ish-bashkëshorti i saj, para Gjinekologjisë në QKUK, raporton Gazeta Sinjali.  

Në mesin e shumë rasteve të dhunës në familje që kanë ndodhur në 24 orët e fundit është edhe një rast në Gjilan, ku kësaj radhe një person ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij. Sinjali mëson se bëhet fjalë për L.D., i cili po dyshohet se e ka keqtrajtuar psiqikisht të bijën, të cilën nuk e lejoi të hyjë në shtëpi mbrëmjen e së premtes.

Sipas informacioneve të para, sherri kishte plasur pasi vajza është kthyer në shtëpi pas orës 22:00, që e mllefosi babain e saj, i cili e dëboi vajzën, duke e ofenduar me fjalë të rënda dhe për pasojë i shkaktoi frikë të madhe.

Përballë kësaj situate, vajza kërkoi ndihmën e Policisë, para së të ndodhë diçka më e keqe. Si rezultat i denoncimit të rastit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast e kanë shoqëruar të dyshuarin në stacion policor për intervistim.

Para hetuesve i dyshuari është përballur me denoncimin kundër tij dhe më pas Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal.  

Kujtojmë se mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.

/GazetaSinjali/