image KDI letër Kurtit, i kërkon të raportojë për dialogun me Serbinë

Kosovë

KDI letër Kurtit, i kërkon të raportojë për dialogun me Serbinë

news image

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një letre publike i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të ofrojë transparencë rreth procesit të dialogut Kosovës-Serbi.

Në këtë letër është përmendur edhe insistimi i Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë që ky proces të jetë transparent.

“Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ju drejtohet me këtë kërkesë publike për të ofruar transparencë rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Lëvizja Vetëvendosje në kohën kur ishte në opozitë, në vazhdimësi ka insistuar që transparenca dhe llogaridhënia ndaj Kuvendit dhe qytetarëve rreth këtij procesi janë kyçe. Tani që udhëhiqni me Qeverinë, nga ju presim që t’u përmbaheni këtyre parimeve”, thuhet në letër.

Përveç përmendjes së mos raportitmit të kryeministrit Kurti për takimin e 15 qershorit në Bruksel, nga KDI është ngritur shqetësimi edhe për takimin e nesërm që do të mbahet në Bruksel në mes të zv.kryeministrit, Besnik Bislimit dhe palës serbe.

“Mungesa e transparencës po thellohet edhe sot, kur në Bruksel po mbahet takim i kryenegociatorit, z. Besnik Bislimi me palën serbe, ndërkohë që Kuvendi dhe as publiku nuk janë të njoftuar për këtë takim, temat që do të diskutohen si dhe qëndrimin që do t’a paraqesë Qeveria e Kosovës. Të njëjtat shqetësime vlejnë edhe për takimin e nivelit të lartë, të paralajmëruar për datën 25 korrik, midis jush dhe presidentit Vuçiq”, thuhet më tutje aty.

Letra e plotë:

I nderuar Kryeministër z. Albin Kurti,

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ju drejtohet me këtë kërkesë publike për të ofruar transparencë rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Lëvizja Vetëvendosje në kohën kur ishte në opozitë, në vazhdimësi ka insistuar që transparenca dhe llogaridhënia ndaj Kuvendit dhe qytetarëve rreth këtij procesi janë kyçe. Tani që udhëhiqni me Qeverinë, nga ju presim që t’u përmbaheni këtyre parimeve.

Më 15 qershor keni marrë pjesë në takimin e parë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me Presidentin e Serbisë, ku keni paraqitur 4 propozime. As para dhe as pas vizitës tuaj në Bruksel nuk keni raportuar në Kuvend lidhur me pozicionin e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen e këtij procesi si dhe më konkretisht lidhur me këtë takim. Mbeten ende për tu qartësuar më në detaje propozimet tuaja të paraqitura në Bruksel siç mbeten për t’u qartësuar hapat që do të ndërmerrni si Qeveri në kuadër të këtij procesi.

Mungesa e transparencës po thellohet edhe sot, kur në Bruksel po mbahet takim i kryenegociatorit, z. Besnik Bislimi me palën serbe, ndërkohë që Kuvendi dhe as publiku nuk janë të njoftuar për këtë takim, temat që do të diskutohen si dhe qëndrimin që do t’a paraqesë Qeveria e Kosovës. Të njëjtat shqetësime vlejnë edhe për takimin e nivelit të lartë, të paralajmëruar për datën 25 korrik, midis jush dhe presidentit Vuçiq.

Mbyllja e procesit krijon hapësirë për dezinformim, sidomos për faktin që ky proces i ndjeshëm për aq kohë që po vazhdon, është bërë shkak i polarizimeve politike e shoqërore. Andaj, KDI ju fton që sa më parë ti drejtoheni Kuvendit të Kosovës, si institucioni më i lartë mbikëqyrës i politikës së jashtme dhe të raportoni mbi takimet e mbajtura duke respektuar parimin e informimit të deputetëve, para dhe pas çdo takimi në kuadër të dialogut me Serbinë. Raportimi i ekzekutivit në Kuvend është përgjegjësi kushtetuese, e mbi të gjitha vlerë e qeverisjes së përgjegjshme. /Gazeta Sinjali/