image Kaq para u detyruan të japin LDK, LVV dhe PDK që t’i hyjnë garës për kryetar të Podujevës

Kosovë

Zgjedhje/ Kaq para u detyruan të japin LDK, LVV dhe PDK që t’i hyjnë garës për kryetar të Podujevës

news image

15 marsi i këtij viti do të jetë dita kur tri partitë politike më të mëdha të vendit, LVV, LDK dhe PDK me kandidatët e tyre do t’i masin forcat në Komunën e Podujevës.

Kjo për shkak se pikërisht në këtë ditë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për kryetar komune.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se tashmë ka përfunduar afati zyrtar për aplikimin për certifikimin e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës.

Në fakt janë tri parti që do të jenë pjesë e këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, të cilat për dhjetë ditë fushatë do të kërkojnë votën e qytetarëve të kësaj komune për të zgjedhur udhëheqësin e tyre.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se pasi ka përfunduar koha e aplikimit, certifikimi do të ndodhë gjatë kësaj jave.

“Ne jemi duke bërë përgatitjet si KQZ dhe jemi gati për zgjedhjet e 15 marsit në Podujevë. Tashmë ka përfunduar aplikimi i partive politike për certifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës. Ne si KQZ brenda javës do të bëjmë edhe zyrtarisht certifikimin e këtyre partive që kanë aplikuar”, ka thënë Daka.

Lista e subjekteve politike me kandidatët që aplikuan gjatë këtij afati (8 shkurt – 17 shkurt) përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me kandidat Nexhmi Rudarin, Lëvizja Vetëvendosje me kandidat Shpejtim Bulliqin dhe Partia Demokratike e Kosovës me kandidat Naim Fetahun.

Zgjedhjet për kryetar të Podujevës erdhën për shkak se kryetari i deritanishëm Agim Veliu dha dorëheqje pasi mori postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.

Por, në zgjedhjet e 15 marsit nuk mund të certifikohen ato parti që nuk kanë shlyer gjobat ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e që u janë shqiptuar në zgjedhjet e kaluara të 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu LVV, LDK dhe PDK janë detyruar të paguajnë gati 200 mijë euro në mënyrë që të plotësojnë kushtin ligjor për pjesëmarrje në zgjedhje.

Nga Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave (PZAP), kanë bërë me dije se të gjitha këto parti tashmë i kanë kryer obligimet e tyre ligjore për t’i hyrë garës zgjedhore.

Mulë Desku nga PZAP ka theksuar se shumat e tyre të borxheve janë shlyer.

Desktu thekson se PDK e cila kishte 100 mijë e 100 euro borxh, i ka paguar. Një shlyerje të tillë të borxhit e ka bërë edhe LDK-ja, e cila ka paguar 74 mijë e 850 euro e pasuar nga LVV e cila ka paguar po ashtu borxhin prej 14 mijë e 100 eurosh.

“Siç vërtetohet nga informatat e shënuara me lartë këto tri subjekte i kanë paguar/shlyer borxhet dhe mund të certifikohen nga KQZ-ja për të marrë pjesë ne zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës në Podujevë, të cilat do të mbahen më 15 mars 2020”, ka thënë Desku.

Ndryshe, fushata zgjedhore për kryetar komune në Podujevë do të jetë vetëm 10 ditë. Fushata sipas përcaktimit të KQZ-së fillon më 3 mars dhe do përfundojë më 13 mars. /Gazeta Sinjali/