image Kapet në Vërmicë 41-vjeçari i kërkuar për trafikim me njerëz e shërbime seksuale

Siguri

Kapet në Vërmicë 41-vjeçari i kërkuar për trafikim me njerëz e shërbime seksuale

news image

Dje, në orët e pasdites, në pikën kufitare në Vërmicë ka rënë në prangat e Policisë, një i dyshuar që kërkohej nga Gjykata Themelore në Ferizaj, pasi ndaj të njëjtit kanë filluar hetimet për dy vepra penale, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin O.H., 41-vjeçar, i cili pasi është verifikuar ka rezultuar se po hetohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, nën dyshimet se ka kryer veprat penale “trafikimin me njerëz” dhe “shërbime seksuale viktimës së trafikimit”.

Pas ndalimit nga Policia, i njëjti është dërguar në stacion policor, ku me urdhër të Prokurorit të Shtetit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për të vazhduar më pas me procedurat e tjera ligjore.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që merr pjesë në trafikimin e njerëzve dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë (5) deri në dymbëdhjetë (12) vjet, ndërsa “kushdo që shfrytëzon ose mundëson shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.”

/GazetaSinjali/