Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Vushtrri, ku një 47-vjeçar është kapur dhe ka kërcënuar disa zyrtarë policorë.
Siç mëson Sinjali, rasti ndodhi derisa policët ishin në pauzë, një një kafeteri, ku i dyshuari ishte futur duke iu drejtuar me fjalët “Punoni diçka, çu punoni – a po çoheni ju a unë me ju iu” dhe më pas e kishte nxjerrë një shufër metalike.
Përballë kësaj situate, pavarësisht pengesave, Policia ka arritur ta arrestojë dhe ta shoqërojë të dyshuarin në stacion, ku iu nënshtrua alkotestit dhe doli të jetë i dehur.
Sipas informacioneve të para, për të mos mbaruar me kaq, i njëjti ka kanosur zyrtarë policorë edhe brenda stacionit, me fjalët “Kom me kry këtë punë…”, thonë tutje të njëjtat burime.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar”.