image "Jo ndarjes etnike të Kosovës"/ Shqiptarët në Gjenevë protestojnë kundër themelimit të Asociacionit

Diasporë

“Jo ndarjes etnike të Kosovës”/ Shqiptarët në Gjenevë protestojnë kundër themelimit të Asociacionit

news image

Çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, tash e një kohë është kryetemë në temat dhe zhvillimet politike në vend. Në debatin ‘pro et kontra’, janë përfshirë edhe një numër i madh i qytetarëve, të cilët në forma të ndryshme shprehin pajtimin ose kundërshtimin për formimin e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Ditën e shtunë, qytetarët me prejardhje nga Kosova por që jetojnë dhe veprojnë në shtetin zviceran, janë mbledhur para objektit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës.

Sinjalizues të Gazetës Sinjali kanë dërguar pamje nga tubimi ku ata kanë protestuar kundër themelimit të Asociacionit.

gjeneve

Me pankarta në duar dhe në gjuhën gjermane e atë angleze, ata i kanë thënë jo themelimit të Asociacionit dhe ndarjes etnike të Kosovës.

“Jo Asociacionit. Jo ndarjes etnike të Kosovës”, thuhet në pankarta.

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar, më 23 dhjetor të vitit 2015, se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ishin tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Kushtetuesja ka thënë se ky asociacion mund të formohet, nëse harmonizohen me Kushtetutën ato parime që nuk janë në harmoni me të.

Serbia, në anën tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin.

/GazetaSinjali/