Policia e Shtetit në Shqipëri ka arrestuar një 51-vjeçar, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari, është dorëzuar nga Zagrebi i Kroacisë, ku në vitin 2023, dyshohet se ka qenë i implikuar në një rast të transportimit të një sasie lënde narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shitjen.
“Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Kroaci, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A. Ll., 51 vjeç, i lindur në Lezhë.Gjykata e Lezhës, në vitin 2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.Në vitin 2023, dyshohet se ky shtetas ka qenë i implikuar në një rast të transportimit të një sasie lënde narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, rast i goditur nga Policia, te mbikalimi i Rrëshenit.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.