image Ish-ministri i Arsimit pagoi mbi 134 mijë euro për 32 punëtorë serbë pa pasur dëshmi që shkuan në punë

Financa

Ish-ministri i Arsimit pagoi mbi 134 mijë euro për 32 punëtorë serbë pa pasur dëshmi që shkuan në punë

news image

Ministria e Arsimit ka paguar 134 mijë e 657 euro për 32 punëtorë serb të cilët nuk kishin shkuar kurrë në punë gjatë vitit 2019, shkruan Gazeta Sinjali.

Këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në aktemërimet e tyre, janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri.

Kështu ka bërë të ditur Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për këët ministri.

“Për këta punonjës, MAShT, nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës për t’i kryer detyrat për të cilat janë të ngarkuar me kontrata, përderisa ishte bërë pagesa e rregullt e pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2019, për këta 32 zyrtarë ishte 134,657 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë, sipas auditorit shkakton dëmtim buxheti si dhe mosarritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës.

Ministria pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ka integruar këta 32 nëpunës të komunitetit serb, të cilët kanë qenë ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”.

“Duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, përkatësisht në Ligjin ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës, si dhe mbështet zotimet e përcaktuara me këto konkluzione. Përmes këtij vendimi, obligohen ministritë dhe agjencitë përkatëse që të bëjnë zbatimin e konkluzioneve sipas përgjegjësisë ligjore”, thuhet tutje në raport.

Zyra e Auditimit rekomandon që të ndërmerren të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore.

Sipas auditorit kjo çështje duhet të adresohet edhe në Qeverinë e Kosovës. /GazetaSinjali/