image IPK realizoi 100% të misionit në aksionin në Karaçevë, u.d.kryeshefi lavdëron inspektorët për profesionalizëm

Siguri

IPK realizoi 100% të misionit në aksionin në Karaçevë, u.d.kryeshefi lavdëron inspektorët për profesionalizëm

news image

Mega-aksionit kundër krimit dhe korrupsionit që u zhvillua mbrëmë në zonën e Karaçevës i kontribuoi edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Madje, IPK-ja realizoi me sukses 100% të aksionit të këtij institucioni, duke vënë në pranga 12 zyrtarë policorë për të cilët ishte urdhëruar arrestimi.

Ky sukses i Inspektoratit Policor të Kosovës e bëri të mburret ushtruesin e detyrës së kryeshefit të këtij institucioni, Kushtrim Hodajn, i cili përmes një statusi në Facebook ka thënë se ky rezultat nuk do të realizohej pa profesionalizmin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të të gjithë punonjësve të IPK-së.

 “Falënderim i veçantë për angazhimin e gjithësecilit në realizimin me sukses të plotë, të një nga operacionet më të rëndësishme në luftimin e krimit në Kosovë”, ka shkruar Hodaj në Facebook.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Gjilan thanë se hetimet dhe dyshimet e Inspektoratit Policor të Kosovës ishin gjeneza e këtij aksioni.

Këto burime thonë se fillimisht IPK kishte ngritur dyshimet për 12 zyrtarët policorë, të cilët u prangosën mbrëmë, çka nxiti edhe vazhdimin e hetimeve që rezultuan me aksionin e mbrëmshëm dhe sotëm që rezultoi me prangosjen e 35 personave, në mesin e tyre 12 zyrtarë policorë.

Nga numri total i të arrestuarve, 9 policë janë shqiptarë dhe 3 të tjerë nga komuniteti serb.

Për të gjithë këta zyrtarë është urdhëruar masa e ndalimit policor në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe brenda këtij afati, të njëjtit pritet të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Zyrtarët policorë që u prangosën mbrëmë dhe sot, në vend që të pengonin veprimtaritë ilegale si: trafikim i qenieve njerëzore, prostitucion, kontrabandë, organizim i lojërave të fatit, dyshohet se vendosën të rreshtohen me krimin, t’i ndihmojnë kontrabandistët dhe të përfitojnë nga veprimtaria e tyre.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/kushtrim.hodaj/posts/10158723164014182