image Inaugurohet Agjencia e Forenzikës, Hoti vlerëson se është model për regjionin

Kosovë

Inaugurohet Agjencia e Forenzikës, Hoti vlerëson se është model për regjionin

news image

Është inauguruar sot aneks-objekti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, për të cilën kryeministri në detyrë Avdullah Hoti tha se është model për gjithë regjionin, shkruan Gazeta Sinjali.

Me rastin e inaugurimit të kësaj agjencie, Hoti u shpreh se Policia e Kosovës mbetet ndër institucionet më kredibile për qytetarët e Kosovës.

“Ju përgëzoj që keni arritur në këtë pikë që të kompletohet infrastruktura e nevojshme. Përgëzoj drejtorin që pa zhurmë ka bërë gjithë këto punë, gjithë këto aktivitete. Kjo është agjenci model në regjion. Policia e Kosovës mbetet ndër institucionet më kredibile në sytë e qytetarëve të Kosovës”, tha Hoti, përcjell ksp.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu tha se me përurimin e këtij objekti po krijohen kushte për kryerjen e shërbimeve forenzike për kryerjen e detyrave në dobi të vendit.

Ky investim shënon një sukses të lartë në konsolidimin e institucioneve të sigurisë në vend. Shkenca e forenzikës duhet të kontribuojë në gjetjen e së vërtetës. Me ndërtimin e këtij objekti, të Agjencisë së Forenzikës po krijohen kushtet për kryerjen e shërbimeve forenzike me urdhrin e Gjykatave e Policisë”, tha Veliu.

Ndërsa drejtori i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri e vlerësoi se me krijimin e kushteve për shërbime forenzike AKF po bëhet shembull edhe për rajonin.

Ai adresoi edhe një kërkesë për kryeministrin në detyrë.

Ligji për Paga ka dëmtuar personelin e AKF-së. Për këtë arsye unë dua të adresoj një kërkesë për kryeministrin, për Qeverinë që do të zgjidhet që statusi i ekspertit forenzik të ketë vendin meritor”, tha ai.

/Gazeta Sinjali/