image Hoxhaj: Ministrat e Francës dhe Gjermanisë të kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Kosovë

Politikë/ Hoxhaj: Ministrat e Francës dhe Gjermanisë të kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

news image

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, pas deklaratës së përbashkët të Gjermanisë dhe Francës për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se këto dy shtete ishte dashur si fillim ta marrin me shqetësim që Kosovës ende nuk i janë liberalizuar vizat.

Hoxhaj ka kritikuar këto dy shtete se nuk e kanë përmendur askund liberalizimin e vizave për kosovarët në deklaratën e tyre të përbashkët për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, edhe pse sipas tij, Kosova ka kohë që I ka plotësuar të gjitha kriteret e dhëna nga BE-ja.

“Franca dhe Gjermania është dashur ta marrin me shqetësim faktin se si kosovarët ende nuk kanë marrë liberalizimin e vizave, edhe pse Kosova ka kohë që ka plotësuar të gjitha kushtet e dhëna nga Bashkim Evropian. Porosia e tyre që të nisë menjëherë dialogu Kosovë -Serbi dhe njohja e ndërsjellë e dy shteteve është çështje vërtetë aktuale dhe e rëndësishme. Por, po aq aktuale dhe e rëndësishme është pritja shumëvjeçare dhe angazhimi i Kosovës që të përmbushë të gjitha kriteret për t’u bërë pjesë e bashkësisë së shteteve, në të cilën përket edhe ashtu gjeografikisht, si orientim politik por edhe si trashëgimi e afërsi shpirtërore e kulturore”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

 Më tej, Hoxhaj ka shtuar se do të donte që “ministrat e jashtëm të këtyre dy vendeve të kërkonin të liberalizohet lëvizja e qytetarëve të Kosovës, e drejtë kjo që normalisht do të duhej t’i takonte të gjithë qytetarëve evropianë, pa i selektuar”./GazetaSinjali/