image Hoti i bindur që Qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga LDK-ja, Kurti oportunist klasik

Politikë

Hoti i bindur që Qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga LDK-ja, Kurti oportunist klasik

news image

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është shprehur i bindur se qeveria e ardhshme në Kosovë do të udhëhiqet nga partia e tij.

Hoti ka deklaruar se LDK do të arrijë ta marrë besimin e qytetarëve përmes mënyrës se si bën politikë.

“Gati me siguri të plotë flasim që Qeveria e ardhshme do jetë e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Mënyra se si bëjmë politikë ne, shpesh marrim kosto mbi vete për hir të proceseve, për rëndësinë që kanë ato procese dhe shtetndërtimin e Kosovës. Me kalimin e kohës kjo gjë po reflektohet në besimin e qytetarëve ndaj LDK-së”, tha Hoti në TV1.

Tutje, Hoti ka hedhur edhe akuza ndaj rrugëtimit politik të kryeministrit aktual, Albin Kurti.

Sipas tij, Kurti është “oportunist klasik”, i cili qeverisë pa parime.

“Në gjithë karrierën e tij politike ky është i njohur që kurrë asnjë parim nuk e ka pasë, është oportunist klasik i shfrytëzimit të situatave për përfitime puro politike të tij. Personalisht nuk ka parime në dialog, është me rëndësi për ne t’i kemi parimet e qarta kur u shpall pavarësia, kur kemi hy në proces të dialogut, kur është dhënë opinioni i GJND-së, rezoluta e OKB që na u ka kërkuar të fillojmë dialogun me ndërmjetësimin e BE-së ka qenë i një natyre tjetër”, deklaroi Hoti.

Deputeti opozitar po ashtu shton se, në dialog me Serbinë, tashmë është dashur që të arrihet normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Është dashur të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve që nuk e njohin njëra-tjetrën dhe duhet pranuar faktin se janë pranuar marrëveshjet që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Hoti.

Derisa foli edhe për Asociacionin, deputeti Avdullah Hoti ka bërë thirrje që kjo marrëveshje të sillet në Kuvend e të anulohet, sidomos pasi Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar sa ishte në opozitë.

“Nuk janë të zot me thënë jo nuk e zbatojmë këtë marrëveshje, edhe me sjellë në Kuvend në bazë të Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare anulimin e kësaj marrëveshje. Këta e kanë luftuar këtë marrëveshje, e kanë kundërshtu me të gjitha format. Normalisht me dëshirë nuk do e kishim bërë këtë marrëveshje, por edhe pavarësinë kur e kemi shpallë e kemi shpallë në bazë të Planit të Ahtisarit me disa garancione që kemi dhënë ne si popullësi shumicë ndaj pakicës, ndaj komuniteteve jo-shumicë”, tha ai.

/GazetaSinjali/