image Haxhiu: Dënimi i Grabovcit është djegie e drejtësisë

Drejtësi

Haxhiu: Dënimi i Grabovcit është djegie e drejtësisë

news image

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Apelit për rastin “Pronto”, ku Adem Grabovci u dënua me 1 vjet e dy muaj burgim me kusht.

Haxhiu tha se kjo nuk ka të bëj me drejtësi dhe se vendimi me kusht dhe jo me burg është djegie e drejtësisë.

“Në ditën kur qeveria Koti e koalicionit PLAN paska vendosur rikapjen e institucioneve të vendit duke i zhbërë disa vendime të qeverisë Kurti doli edhe vendimi për kinse dënimin e personifikimit të kapjes së shtetit dhe protagonistit të Aferës Pronto, Adem Grabovci. Kjo nuk ka të bëjë me drejtësi, përkundrazi ky është cenim i rëndë i drejtësisë kur gjithë ato biseda të cilat me prova e fakte në terren tregojnë se ajo skemë e kapjes është e realizuar dhe gjindet këmbë e kry në institucionet e Republikës. Vendimi me kusht dhe jo me burg është djegie e drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo shtoi se institucionet e drejtësisë kanë nevojë më shumë se kurrë për një proces legjitimimi që do të bëhej përmes vettingut.

“Vetëm me përcaktim të qartë politik për çkapjen e shtetit prej nga edhe gjyqësori do t’i ketë duart e lira dhe të pavarura do të kemi shtet të së drejtës, i cili nuk është shtet që dënon vetëm aty ku ka mundësi, por aty ku duhet dënuar. Kosova nuk mund të jetë vend ku dënohen vetëm të varfërit e qytetarët e zakonshëm e nuk preken të fortët e politikës dhe krimit”, ka shkruar Haxhiu.

Ish-zyrtari i lartë i PDK-së, Adem Grabovci është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht nga Gjykata e Apelit lidhur me rastin “Pronto”, raporton Gazeta Sinjali.

Grabovcit i është shqiptuar dënimi unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, por i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje pre 2 viteve. /Gazeta Sinjali/