image Haradinaj vazhdon inatin me Erdoganin edhe në tragjedinë natyrore ku mbetën 21 të vdekur

Kosovë

Haradinaj vazhdon inatin me Erdoganin edhe në tragjedinë natyrore ku mbetën 21 të vdekur

news image

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, duket se po vazhdon inatin me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përkundër fatkeqësisë natyrore që është goditur Turqia, raporton Gazeta Sinjali.

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.9 ka goditur pasditen e djeshme Turqinë ku 21 persona kanë ndërruar jetë, ndërsa raportohet për 1 mijë persona të lënduar.

Përkundër kësaj, kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj nuk e ka bërë asnjë reagim për fatkeqësinë natyrore që ka goditur Turqinë. Ndërkohë që njëjt nuk ka vepruar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi , raporton Gazeta Sinjali.

Thaçi ka reaguar qysh dje duke vënë në dispozicion ndihmën e shtetit të Kosovës për Turqinë.

“Zemrat tona u drejtohen familjeve të viktimave dhe atyre të plagosur nga tërmeti që goditi #Elazig. #Kosova është e gatshme të dërgojë ndihmë të menjëhershme operative, pasi ne qëndrojmë pranë njerëzve dhe Qeverisë së Turqisë në këto momente tragjike”, ka shkruar ai mbrëm në Twitter.

Në fakt Haradinaj nuk ka aspak raporte të mira me Erdoganin. Këto raporte kishin filluar që nga koha e deportimit të gjashtë shtetasve të Turqisë, të cilët akuzoheshin nga shteti turk si anëtarë të organizatës së Fetullah Gylenit.

“Por kam një pikëllim. Çfarë është ky pikëllim?. Kryeministri i Kosovës largoi nga detyra personin në krye të Inteligjencës dhe Ministrin e Brendshëm. Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?”.

“Ju kryeministër a nuk e dini se Turqia është vendi i dytë menjëherë pas Amerikës që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Si mund t’i ushqesh këta njerëz që kanë bërë një tentativë për grusht shteti ndaj Turqisë e cila e mirëpret Kosovën si një vëlla. Do të japësh llogari edhe për këtë. Vëllezërit e mi kosovarë nuk i japin kredibilitet një kryeministri si ti. Vëllezërit e mi kosovarë, kosovarët që i njoh dhe i di do të kërkojnë llogari prej teje për këtë”, kishte deklaruar Erdogani.

Haradinaj në gusht të vitit 2018, kur kishte ndodhur kjo përplasje i ishte kundërpërgjigjur Erdoganit. Kishte thënë se Kosova dhe ai nuk i ka hyrë në punët e brendshme të Turqisë, duke shtuar se Kosova nuk lejon që në punët e shtëpisë të hyjë dikush tjetër.

“Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen, por po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emër tonë në Kosovë, kemi me i bërë vetëm ne kur i bëjmë ne. Këtë le ta dinë të gjithë”, kishte thënë Haradinaj./Gazeta Sinjali/