image Haradinaj-Stublla u shkruan letër ambasadorëve të QUINT-it pas padisë që Gjykata e Vranjës i bëri Ragmi Mustafës

Politikë

Haradinaj-Stublla u shkruan letër ambasadorëve të QUINT-it pas padisë që Gjykata e Vranjës i bëri Ragmi Mustafës

news image

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pas lajmit se Gjykata e Vranjës në Serbi ka ngritur akuzë ndaj kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë, Ragmi Mustafës për shkak të ngritjes së flamurit shqiptar të këtij të fundit në selinë e këtij Këshilli, shkruan Gazeta Sinjali.

Lidhur me këtë, Haradinaj Stublla ka bërë të ditur se iu ka dërguar letra Ambasadorëve të Quintit në Serbi, vendeve aleate të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Organizatave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut .

Menjëherë sonte kam nisur letra tek Ambasadorët e Quintit në Serbi, vendet aleate të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Organizatat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut etj. Askush më, kurrë dhe në asnjë vend nuk do të mund ta pengojë, as me gjykata, as me topa e artileri, valvitjen e lirë e krenare të flamurit kombëtar kuq e zi, tash edhe për krah flamurit të Kosovës, si dëshmi për Kosovën tonë të pavarur, të paprekshme në secilën pëllëmbë të saj, e me orientim të pastër Euro-Atlantik”, ka shkruar ajo.

Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj-Stublla e ka quajtur shkelje flagrante e të drejtave themelore e njerëzore, padinë ndaj Mustafës.

Është veprim i paprecedent e i papranueshëm, shkelje flagrante e të drejtave themelore e njerëzore padia e ngritur nga Gjykata e Vranjës ndaj Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, z.Ragmi Mustafa për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar në selinë e këtij Këshilli, më 28 nëntor 2020.  Z.Mustafa akuzohet nga shteti i cili i ka ende duart e përlyera nga luftërat e shkaktuara në rajon kundër të gjitha etnive joserbe – “për kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar”, ka thënë Haradinaj-Stublla.

Tutje, e para e diplomacisë kosovare ka thënë se ministria që ajo udhëheq do ta denoncojë jo vetëm këtë rast, por të gjitha shkeljet ndaj të drejtave të komunitetit shqiptar në Serbi, në të gjitha instancat ndërkombëtare, duke përfshirë Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, BE-në, OSBE-në, dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës do të përshkallëzojë edhe më tutje veprimin diplomatik duke e denoncuar jo vetëm këtë rast, por të gjitha shkeljet ndaj të drejtave të komunitetit shqiptar në Serbi, në të gjitha instancat ndërkombëtare, duke përfshirë Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, BE-në, OSBE-në, dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Haradinaj-Stublla. /Gazeta Sinjali/