image Haradinaj i ashpër me Kurtin: Nuk je as i pari as i fundit që e humb rrugën, po doni me bë llugë me Serbi

Politikë

Haradinaj i ashpër me Kurtin: Nuk je as i pari as i fundit që e humb rrugën, po doni me bë llugë me Serbi

news image

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i është drejtuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook i cili ka thënë se parametrat e Qeverisë po e rrezikojnë vendin në disa rrafshe, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas, Haradinaj Qeveria Kurti e ka ndarë shoqërinë me thikë, ndërsa sa i përket religjionit po nxit tema që po e rrezikojnë identitetin kombëtar.

“Po flitet se doni me e ba llugë edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Në vend që të insistohet vetëm në marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë, ju sikur doni me nënshkru një dokument për mos-sulmim të ndërsjellë. Ky dokument është nënshkruar në qershor të vitit 1999, dhe Kosova nuk kthehet atje më”, shkruan Haradinaj ndër të tjera.

Postimi i plotë:

Po ju drejtohem juve Albin Kurti, kryeministrit të vendit tim. Nuk është marre me thanë, më falni paskam hyrë në zanat të huaj. Nuk je as i pari as i fundit, që e humb rrugën diku.

Është nder e njerëzi me ditë kur me u tërheq. Parametrat e qeverisjes suaj sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin:Në rrafshin politik, e keni ndarë shoqërinë si me thikë.

Në rafshin fetar po nxitni tema që po e rrezikojnë jo vetëm tolerancën fetare që ndër shqiptarë ka qenë vlerë sublime, por edhe identitetin kulturor e kombëtar.

Qeverisja juaj e ka qitë në gjunjë ekonominë e vendit. Bizneset i keni mbështetur për muri e po i çoni drejt falimentimit. Qasja juaj ndaj komunave është armiqësore.

Shtresen e mesme të shoqërisë, po e shndërroni në kategori sociale. Mijëra mësues, mjekë, policë, shërbyes civilë, punëtorë të sektorit publik e privat, por edhe të tjerë, sot kanë problem me mbijetu me pagat që ju i keni lënë ne vendnumëro, duke e bllokuar ligjin e pagave, që kish marrë udhë qysh në qeverisjen time, e kur inflacioni ishte zero.

Në vendin ku qeverisni ju, Ministria e Ekonomisë ka shpenzuar zero euro për kapacitetet gjeneruese energjetike, e në verë paralajmëroni reduktime katastrofike të rrymës, deri në 6 orë terr. Me këtë politikë, Kosovën doni me e ngri në dimër.

Po flitet se doni me e ba llugë edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Në vend që të insistohet vetëm në marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë, ju sikur doni me nënshkru një dokument për mos-sulmim të ndërsjellë. Ky dokument është nënshkruar në qershor të vitit 1999, dhe Kosova nuk kthehet atje më.

Prandaj po ju drejtohem që ta rishikoni pozicionin tuaj. Është fisnike me ditë kur me u tërheq. Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend! Ka diçka më të vlefshme se sa karrigia e kryeministrit.

/GazetaSinjali/