image Haradinaj deklarohet për shkarkimin e Boltonit dhe qëndrimin e tij për Kosovën

Kosovë

Haradinaj deklarohet për shkarkimin e Boltonit dhe qëndrimin e tij për Kosovën

news image

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj nuk ka dashur t’i komentoj deklarimet e zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës Enver Hoxhaj, për tërheqjen e 10 njohjeve ndaj shtetit të Kosovës pasi që i konsideron si deklarime për përfitime të votave.

Duke folur për propagandën e Serbisë kundrejt Kosovës për çnjohjen nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, Haradinaj tha se në planin e brendshëm Kosova nuk kërkon amin nga Serbia.

“Tash jemi në zgjedhje dhe nuk mund ta komentoj çdo deklaratë të atyre që shkojnë me kërkua vota. Por si shteti ekzistojnë dy bota, bota e Serbisë e aleatëve të vetë që punojnë kundër nesh dhe bota jonë ne dhe aleatët tanë që e prapësojmë Serbinë në planin e brendshëm e kemi prapsua nuk varemi nga Serbia nuk na vyen amini i Serbisë për asnjë çështje të brendshme të Kosovës këtë e kemi kryer e kemi largua edhe ndarjen dhe çdo aspekt të tillë, në planin e jashtëm jemi këtu për të vazhdua”, tha Haradinaj.

Gjatë kësaj konference Haradinaj ka folur edhe për shkarkimin e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-ve , John Bolton nga presidenti Trump i cili ka qenë i njohur si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës.

Por sipas Haradinajt Amerika e mbron Kosovën dhe as Bolton nuk është kundër Kosovës, por që sugjerimet e shkuara drejt Uashingtonit zyrtar kanë qenë të gabuara.

“Mendoj se gabimet kanë ndodhur në Ballkan e jo në Uashington pra sugjerimet i kanë shkuar të gabuara Uashingtoni zyrtar prej udhëheqësve të Ballkanit kuptohet prej presidentit Vuçiq  ai e ka interes shtetëror e nacional pra dobësimin dhe copëtimin e Kosovës janë bërë edhe gabime prej të tjerëve ne kemi shumë bindje të thellë se të gjitha institucionet e Amerikës e mbrojë Kosovën se Kosova është vijë fronti për ta, në kufirin e Kosovës ndahet edhe kufiri në mes influencave amerikane dhe  ruse, e ne jemi vijë e frontit dhe jam i bindur se çdo herë Amerika do jetë me Kosovën”, theksoi ai.

Haradinaj tutje tha se Amerika nuk është për ndarjen e Kosovës, dhe se zyrtarët brenda Kosovës kanë dhënë deklarime të gabuara.

“Ne kemi dëgjuar plotë deklarata të zyrtarëve tanë e të njerëzve të mediave qysh nuk na vyen asgjë Leshaku e  Veriu ose si na ka dhënë Rankoviqi veriun besoj se këto i dini kush i ka thënë..Kerkush në Amerikë nuk është për ndarje të Kosovës Amerika ka qëndrua me Kosovën, e do Kosovën është me Kosovën por sugjerimet dhe opsionet që janë quar nga Ballkani kanë shkuar të gabuara”, u shpreh Haradinaj.

Kryeministri në detyrë, ka përsëritur se taksa ndaj Serbisë do të hiqet vetëm nëse ndodh njohja e shtetit të Kosovës nga shteti serb.