image Guvernatori i BQK-së: Qeveria e ardhshme duhet të ketë fokus zhvillimin ekonomik - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

68.351

Të shëruar

59.438

Të vdekur

1.592

Guvernatori i BQK-së: Qeveria e ardhshme duhet të ketë fokus zhvillimin ekonomik

news image

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti ka thënë se sektori bankar ka pasur dhe vazhdon ta ketë rolin e saj në rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

“Sektori bankar është mirë i kapitalizuar dhe likuid. Ky sektor e ka ndihmuar shumë ekonominë edhe gjatë kohës së pandemisë. Bankat kanë dhënë kredi mbi 1,5 miliardë euro gjatë pandemisë, kemi rënie të normave të interesit bankar dhe kjo ka ndihmuar shumë. Ky sektor ka kapacitet të luan rol kyç për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë”, tha ai në RTK.

Mehmeti tha se në Kosovë edhe kreditë e këqija janë të vogla.

“Kreditë jo performuese janë në nivel mjaft të ulët, edhe gjatë pandemisë kanë qenë 2.7 për qind”, tha ai.

Sipas tij një sektor financiar stabil krijon mundësi që të përballojmë problemin me pandeminë.

Mehmeti bëri me dije se BQK-ja, ka marrë vlerësime pozitive nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë FMN, Komisionin Evropian etj.

Ai ka përmendur veprimet që i kanë marrë gjatë periudhës së pandemisë që efektet të jenë sa më të vogla, duke veçuar ristrukturimin e kredive.

Fehmi Mehmeti, foli edhe për diasporën, gjersa shtoi se “Vizita e diasporës në Kosovë paraqet një burim shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit, vetëm shpenzimet jo-rezidente që ne i konsiderojmë që kryesisht realizohen prej bashkatdhetarëve tanë, kemi një rënie diku rreth 52.9 për qind krahasuar me vitin 2019, pra të shpenzimeve jo rezidente të realizuara në Kosovë që kanë arritur në vlerën 589.7 milionë euro. Ndërkaq, një vit më herët ka qenë 1.2 miliard euro.”

Sipas Mehmetit remitencat vjet arritën vlerën afër 1 miliard euro. Ai vlerësoi se nëse shkojnë punët mirë me vaksinim, atëherë rritja ekonomike në fund të vitit do të jetë 4%.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmeti, deklaroi se qeveria e ardhshme duhet të ketë fokus zhvillimin ekonomik.

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin