image Grenell flet pas takimit me Kurtin: Formimi i qeverisë nuk është problemi im

Kosovë

Takimi/ Grenell flet pas takimit me Kurtin: Formimi i qeverisë nuk është problemi im

news image

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, është deklaruar për media pas takimit me liderin e Lëvizjes Vetëvendojse, Albin Kurti.

Grenell theksoi edhe njëherë se nuk ka ardhur në Kosovë për të ndërhyrë në procesin e formimit të qeverisë, por për çështje ekonomike.

“Problemi për të formuar qeverinë nuk është problemi im dhe nuk jam i interesuar të përfshihem. Por, do t’i them dy gjëra. E para, i thash Kurtit se vendet si Britania e Madhe dhe Gjermania, kanë pasur probleme të mëdha përderisa kanë tentuar të formonin qeveritë. I thash se ne jemi duke e shikuar, ne nuk kemi ndonjë impakt në këtë ‘luftë’, ne jemi duke shikuar se çfarë po ndodhë dhe këshillojmë që të ndiqen ligjet”, ka thënë fillimisht Grenell.

Ai më tutje e ka bërë të ditur se çështja kryesore përse ai po zhvillon këto takime është për shkak të çështjeve ekonomike, më saktësisht në heqjen e taksës 100%.

“Gjëja e dytë që dua ta bëj shumë të qartë është shtytjen ekonomike që unë po tentoj ta bëj, është gjëja më e rëndësishme. Po tentoj të krijojë punë, po tentoj t’i sjellë në Kosovë bizneset evropiane dhe amerikane. Të dyja janë “të uritura” që të vijnë këtu dhe të e rrisin ekonomikë këtu. Administrata amerikane ka rezultuar të jetë shumë e suksesshme në ekonomi, duke e larguar politikën nga kjo fushë. Jam duke tentuar t’i injoroj përleshjet politike dhe të përqendrohem në ekonomi. Për këtë shkak i kam kërkuar Kurtit dhe do t’ia kërkojë çdo politikani këtu që është shumë e rëndësishme nëse dëshirojmë të vazhdojmë përpara, të hiqet taksa 100%. Taksa duhet të hiqet në të njëjtën kohë me kampanjën për çnjohje të Serbisë dhe mendoj se këto dy gjëra duhet të ndodhin, në mënyrë që biznesi të rritet në Kosovë. Do ta bartë mesazhin e njëjtë në Beograd”, ka thënë Grenell.

Kujtojmë se i dërguari i posaçëm i Trumpit për bisedimet Kosovë – Serbi, do të takohet edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sot në orën 11:30. /Gazeta Sinjali/