image Goditet grupi që mashtronte qytetarët me SMS në emër të Policisë, bankave dhe e-Kosovës – mbi 150 raste të identifikuara

Siguri

Goditet grupi që mashtronte qytetarët me SMS në emër të Policisë, bankave dhe e-Kosovës – mbi 150 raste të identifikuara

news image

Një grup i organizuar që dyshohet se ka mashtruar qindra qytetarë përmes mesazheve telefonike të rreme, duke u paraqitur në emër të institucioneve shtetërore dhe bankave, është goditur nga Njësia e Krimeve Kibernetike në Prishtinë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se hetimet kanë nisur pas një numri të madh ankesash nga qytetarët, të cilët kishin pranuar SMS mashtruese që dukeshin sikur ishin dërguar nga Policia e Kosovës, bankat që operojnë në Kosovë, Administrata Tatimore e Kosovës dhe platforma e-Kosova.

Përmes këtyre mesazheve, të dyshuarit kishin arritur t’i bindnin viktimat të jepnin të dhënat e kartelave bankare, të cilat më pas dyshohet se përdoreshin për transferime të parave, tërheqje të mjeteve financiare dhe blerje online pa autorizim.

Sipas burimeve, më 4 qershor 2026 është zhvilluar një operacion policor në lagjen Dragodan të Prishtinës, ku është arrestuar Angel Ognyanov Ralchev. Gjatë kontrollit të banesës së tij janë sekuestruar dy telefona mobilë, katër kartela SIM, tetë kartela bankare, pajisje të ndryshme teknologjike dhe një automjet.

Pas daljes para gjykatës, ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Ndërkaq, më 8 qershor 2026, rreth orës 11:30, është arrestuar edhe Florian Hoti në Prizren. Paralelisht janë kryer dy kontrolle në fshatin Krushë e Madhe, ku janë sekuestruar prova të tjera materiale që lidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me aktvendim të Prokurorit, Hotit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një grup të strukturuar mirë kriminal, i cili ka vepruar për një periudhë të gjatë kohore.

Vetëm në rajonin e Prishtinës, deri më tani janë identifikuar mbi 150 raste mashtrimi me dëme të konsiderueshme financiare ndaj qytetarëve.

Burimet bëjnë të ditur se hetimet janë zgjeruar edhe ndaj personave të tjerë që dyshohet se janë pjesë e skemës kriminale, ndërsa autoritetet janë duke zhvilluar veprime intensive për identifikimin dhe lokalizimin e tyre.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/